Të ndodhur në një situatë emergjente shëndetësore për shkak të pandemisë së koronavirusit, kryeministri Edi Rama ka folur edhe njëherë për masat shtrënguese të marra nga qeveria për të parandaluar përhapjen e COVID-19 në vend.

Gjatë një komunikimi për “Open”, Rama ka bërë me dije se ditën e nesërme do të jepet një njoftim zyrtar që shkollat do të vijojnë të qëndrojnë të mbyllura, çka nënkupton se mësimi ende nuk mund të vijoj normalisht dhe institucionet arsimore nuk do të hapen ditën e hënë.

Shkollat vijojnë të qëndrojnë të mbyllura që prej 10 marsit, të martën e kaluar. Me shumë gjasa, ato do rrinë të mbyllura të paktën deri në datën 3 prill. Por, marrë parasysh situatën në Itali, ka shumë mundësi që shkolla dhe universitet të qëndrojnë të mbyllura edhe gjatë gjithë muajit prill.

Ndërkohë, me qëllim që nxënësit dhe studentët të mos mbeten mbrapa me mësimin, Ministria e Arsimit ka urdhëruar vijimsinë e dhënies së leksioneve përmes praktikimit të metodave të tjera alternative si: mësimi online, por edhe mësimi përmes transmetimit të leksioneve në TVSH.