Ministri i ri i Infrastrukturës dhe Energjisë, i cili shoqëron kryeministrin Rama në inspektimin e aksit provizor Librazhd-Prrenjas, u tha banorëve se janë marrë të gjitha masat për t’iu rikthyer normalitetit. Lidhur me Korridorin VIII, ai tha se 33 kilometra janë kontraktuar nga ARRSH dhe s’ka pasur ndalesa në punime, veç aksit Librazhd-Prrenjas.
“E di që ju është krijuar një shqetësim për disa ditë të vazhdueshme. Janë marrë të gjitha masat që gjërat të vijojnë normalisht. Korridori VIII që njohim ne sot, është 33 kilometra i kontraktuar nga ARRSH. Ka 8 faza dhe nuk ka pasur asnjë ndalesë në punimet normale. Qytetarët mund ta konstatojnë që janë shtruar shtresat asfaltike në njërën korsi dhe do të vijojë në anën tjetër. E vetmja ndalesë ka qenë në këtë aksin këtu dhe do të vazhdojë derisa të ndërtohet rruga sekondare 1.3 kilometra. Ky është një korridor i rëndësishëm për lëvizjen dhe zhvillimin ekonomik. Të gjitha segmentet e tjera po ecin sipas fazave të afateve kontraktore”, tha Karakaçi.
Lajmi kryesor:
U hap pas 11 ditëve bllokim, Rama inspekton aksin provizor Librazhd-Prrenjas: Tollovia, perversitet i madh! Plagë që helmoi opinionin publik











