Lidhur me projektin e Korridorit VIII, kryeministri Rama tha para banorëve të zonës pranë aksit Librazhd-Prrenjas se nuk ishte i pranuar prej BE. Ai tha se arsyeja ishte që kjo do ta bënte të financueshëm nga fondet e BE dhe vetëm me këmbëngulje, u arrit të kuptohej rëndësia strategjike. Rama tha se ky projekt është tepër i madh për t’u zhytur në baltë.
“Korridori VIII ka qenë prej kohësh i kuptuar dhe i deklaruar strategjik por nuk ka qenë i pranuar nga BE si një korridor europian. Arsyeja ka qenë se jo të gjitha vendet e BE e dëshironin këtë korridor dhe ka pasur gjithmonë refuzim nga ana e BE për ta përfshirë në korridoret europiane sepse përfshirja i jep një korridori vlerën si një aset i BE. Duke qenë aset i BE, bëhet i financueshëm nga fondet europiane ose që mund të merren nga organizatat financiare. Ka qenë puna, diplomacia jonë që në samitin e zhvilluar në Tiranë mes BE dhe Ballkanit Perëndimor ky korridor u fut në rrjetin europian. Natyrisht që duke u bërë kjo, jo vetëm u kuptua natyra strategjike e tij, por edhe rëndësia. Lidhja me portin e Durrësit garanton një aks tjetër të lëvizjes së mallrave, më të shpejtë, me kosto më të ulët. Paralelisht, korridori duhet të ndërtohet edhe në vendet që i kemi ngjitur apo më pas, në RMV e Bullgari. Përpjekja jonë për një krah ushtarak do ta bëjë edhe më të rëndësishëm dhe do të rrisë në mënyrë të jashtëzakonshme vlerën e tij, pronës dhe impaktin ekonomik e social. Është vepër shumë e madhe për t’u zhytur në baltën e makinerisë që veç e prodhon”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
U hap pas 11 ditëve bllokim, Rama inspekton aksin provizor Librazhd-Prrenjas: Tollovia, perversitet i madh! Plagë që helmoi opinionin publik











