TIRANË- Kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla nuk ishte në seancë kur Apeli la në fuqi dënimin me 1 vit burg për korrupsion aktiv në zgjedhje në bashkëpunim, dhënë nga Gjykata e Posaçme më 24 janar të vitit 2025. Ai u përfaqësua vetëm nga avokati. Në fuqi u la edhe heqja e së drejtës për të mbajtur funksione publike për një periudhë 5 vjeçare.

Treshja e togave të zeza Florjan Kalaj, Daniela Shirka dhe Igerta Hysi vulosën vendimin duke mos pranuar kërkesën për pafajësi apo dënimin alternativ në shërbim prove për Memollën. Kryebashkiaku i Rrogozhinës është hetuar dhe gjykuar në liri, pa masë sigurie. Sipas burimeve bëhet me dije se kryebashkiaku i Rrogozhinës është vetëdorëzuar pasditen e sotme në policinë e Kavajës. Në polici janë vetëdorëzuar gjithashtu edhe Blerim Xhamani dhe Ndriçim Tafxhafa.

SPAK zbuloi një bisedë të Edison Memollës, kur ai kandidonte në zgjedhjet e pjesshme vendore të marsit 2022, me elektricistin e OSHEE Blerim Xhamani. Memolla i kërkoi të mos i ndërpresë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim që të votonte në favor të tij në zgjedhje. Me elektriçistin Xhamani, sipas SPAK, Memolla bisedoi edhe për punësime në Bashkinë e Rrogozhinës, në këmbim të votës.

Po ashtu, elektriçisti me të pandehurin tjetër, Ilir Tosku rezultojnë se “kanë falsifikuar të dhënat në procesverbal kur në fakt nuk ia kanë ndërprerë energjinë abonentit debitor”. Blerim Xhamani u dënua me 1 vit burg, ndërsa për Ilir Toskun dënimi me 8 muaj burg, u konvertua në 1 vit e 4 muaj shërbim prove.

1 vit burg për korrupsion aktiv në zgjedhje në të njëjtën çështje, Apeli dënoi edhe Ndriçim Tafxhafën, i cili sipas hetimeve “i premtoi një gruaje shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE-së dhe strehim, duke i kërkuar të votonte në favor” të kandidatit socialist.

Edison Memolla i fitoi zgjedhjet e 6 marsit 2022, të cilat u mbajtën për shkak se paraardhësi i tij ishte ndarë nga jeta. Memolla u konfirmua sërish në zgjedhjet e rregullta vendore një vit më vonë, më 14 maj 2023.

Por procesi u përsërit disa muaj më vonë, korrikun e atij viti, për shkak se opozita kontestoi rezultatin në qendrën e votimit në Burgun e Rrogozhinës. Më 23 korrik 2023 Edison Memolla u rikonfirmua kryetar, në 3 zgjedhje brenda 1 viti e gjysmë.

Me dënimin me formë të prerë, Edison Memolla humbet mandatin e kryebashkiakut dhe Rrogozhinës i duhet të shkojë sërish në zgjedhje.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

 

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:16
Kryebashkiaku i Rrogozhinës vetëdorëzohet në polici! Apeli i GJKKO la në fuqi dënimin e tij me 1 vit burg për korrupsion zgjedhor

1770672076_1698936675edisonmemolla.jpg

Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, pas vendimit të Apelit të GJKKO, është vetëdorëzuar pasditen kësaj të hëne në Policinë e Kavajës në zbatim të vendimit që la në fuqi dënimin e shkallës së parë.

Memolla nuk ishte në seancë kur Apeli la në fuqi dënimin me 1 vit burg për korrupsion aktiv në zgjedhje në bashkëpunim, dhënë nga Gjykata e Posaçme më 24 janar të vitit 2025. 

Gjithashtu, në polici është dorëzuar edhe Blerim Xhamani, i cili u dënua me 1 vit burg, sepse së bashku me Ilir Toskun, me kërkesë të Memollës, nuk i kanë ndërprerë energjinë elektrike një debitori të OSHEE-së, pasi ky i fundit do votonte kryebashkiakun. Rezultojnë se Xhamani dhe Tosku “kanë falsifikuar të dhënat në procesverbal kur në fakt nuk ia kanë ndërprerë energjinë abonentit debitor”. 

Ilir Tosku, që po ashtu është vetëdprëzuar në polici, u dënua me 8 muaj burg, dënim i cili u konvertua në 1 vit e 4 muaj shërbim prove.

Ora 18:19
Apeli i GJKKO-së la në fuqi vendimin me 1 vit burg, Edison Memolla pritet të vetë-dorëzohet nesër në Polici! Rrogozhina drejt zgjedhjeve të reja

1770657669_cgfujuu.png

Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, për të cilin ditën e sotme Apeli i GJKKO-së la në fuqi dënimin me një vit burg, pritet të vetë-dorëzohet ditën e nesërme në Polici.

Lajmin e kanë bërë të ditur burime për Report TV, ku bëhet me dije se Memolla do të vetë-dorëzohet, pasi të delegojë detyrat që mban.

Memolla u dënua për korrupsion në zgjedhje, pasi SPAK zbuloi një bisedë të tij kur kandidonte në zgjedhjet e pjesshme vendore të marsit 2022, me elektricistin e OSHEE Blerim Xhamani.

Memolla i kërkoi elektricistit të mos i ndërpresë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim që të votonte në favor të tij në zgjedhje. Me elektriçistin Xhamani, sipas SPAK, Memolla bisedoi edhe për punësime në Bashkinë e Rrogozhinës, në këmbim të votës.

Me dënimin me formë të prerë, Edison Memolla humbet mandatin e kryebashkiakut dhe Rrogozhinës i duhet të shkojë sërish në zgjedhje.