Kosovë, EULEX mbron dëshmitarët
në rastet më të vështira

Kosovë, EULEX mbron dëshmitarët<br />në rastet më të vështira
PRISHTINE- "Mbrojtja e dëshmitarëve dhe familjeve të tyre, gjatë një procesi të ndjeshëm gjyqësor, nuk është e kënaqshme në Kosovë", vlerëson Misioni Europian për Forcimin e Sundimit të Ligjit, i cili nënvizon se "shumë prej atyre që vendosën të flasin, nuk janë më".

Pa dashur të ndërlidhet me asnjë rast specifik, EULEX sqaron se çështja e kërcënimit të dëshmitarëve dhe programet e mbrojtjes së tyre janë larg të qenit funksionale.

“Ka pasur shumë raste kur dëshmitarët janë vrarë apo janë kërcënuar, ose familjet e tyre janë frikësuar, jo vetëm në Kosovë ose në Ballkan. Kjo ndodh edhe në vendet europiane. Situata në Kosovë nuk është e kënaqshme, janë ndërmarrë hapa nga autoritetet për të ofruar më shumë mbrojtje për dëshmitarët. Por, kjo do të marrë kohë. Të gjithë e dimë se duhen bërë përmirësime të mëdha, në mënyrë që të ecet para dhe të zhvillohet kjo fushë, sa më parë që të jetë e mundur”, thotë për "Radion Evropa e Lirë", zëdhënësja e EULEX-it, Françoise Lambert.

Përkundër mungesës së këtij standardi thelbësor, në ofrimin e mbrojtjes së dëshmitarëve të rëndësishëm, misioni europian thotë se ka një program funksional brenda dhe jashtë Kosovës, i përbërë nga njerëz me përvojë në këtë fushë.

“Programet e mbrojtjes së dëshmitarëve, janë të komplikuara. Ka nivele të ndryshme të mbrojtjes, që ofrohen në kohë të ndryshme, dhe për njerëz të ndryshëm. Nuk është vetëm një standard i thjeshtë. Ato përpilohen në bazë të nevojës së njerëzve dhe nivelit aktual të rrezikut. Dhe gjithmonë, dëshirat dhe urimet e tyre janë prioritet absolut”, sqaron Lambert.

Shtatë ish-ushtarakë të lartë të UÇK-së, janë paraburgosur të shtunën për shkak të mundësisë për të ndikuar tek tetë dëshmitarët që janë thirrur në procesin gjyqësor të hapur rishtazi për krime lufte, kundër rastit të njohur si "Grupi Drenica".

EULEX sqaron ndërkaq se nuk komenton për një rast konkret që ndodhet në hetime, por thekson se programi që përdor për mbrojtjen e dëshmitarëve po testohet në vazhdimësi, dhe se “shumë njerëz e kanë provuar, dhe po e provojnë!”

Në mesin e të dyshuarve për krime lufte, që u paraburgosen më 21 maj është edhe kryetari aktual i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylejman Selimi, Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demaku, Hysni Thaçi e Avni Zabeli.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Venezuelë/ Protesta të dhunshme kundër fitores së Maduros! Opozita: Gonzalez mori 73% të votave, zgjedhjet u manipuluan

Venezuelë/ Protesta të dhunshme kundër fitores së Maduros! Opozita: Gonzalez mori 73% të votave, zgjedhjet u manipuluan