Këtë të dielë qytetarët e Kosovës do të votojnë për të zgjedhur parlamentin e ri, dhe bashkë me të, edhe qeverinë e re të katër viteve të ardhshme. Këto janë zgjedhjet e pesta në radhë që nga viti 2001, janë të dytat zgjedhje të parakohshme dhe të tretat zgjedhje ku kryeministri Hashim Thaçi është në kërkim të një mandati qeverisës.

Zgjedhjet në Ballkan zakonisht nuk sjellin surpriza të mëdha, përbëjnë lajm kryesisht për shkak të zhvillimeve negative dhe konflikteve politike, dhe se dobia e zgjedhjeve është relative, edhe për shkak se diferencat midis palëve politike në rajon janë gjithnjë e më minimale. Kosova është një rast tipik. Shumica e protagonistëve dhe partive politike janë politikanë me përvojë të gjatë dhe të provuar në disa palë zgjedhjeje, pa prurje të reja, pa ndonjë zhvillim jashtë sistemit të brishtë të konkurrencës krahinore, financiare, fetare dhe personale.

Beteja për çdo votë dhe me çdo kusht e bën Kosovën një rast tjetër ideal të demokracive të brishta, ku gjatë fushatave elektorale braktisen parimet e larta të konkurrencës programore dhe sjelljes serioze shtetërore e politike për ti lënë vendin (keq)përdorimit të çdo aseti publik, shtetëror, monetar dhe mediatik në funksion të fitores elektorale personale.

Zgjedhjet në Kosovë, për shumë arsye, kanë ende pritshmëri dhe do të duhet tu japin përgjigje disa pyetjeve themelore që kanë të bëjnë me shtetin, aftësinë për zgjedhje, vullnetin qytetar për ndryshimin e politikës, problematikën e administrimit zgjedhor, dhe sidomos, me kurajën për të hequr dorë nga mitet dhe idhujt e rrëzuara (shumë figura të luftës janë sot protagonistë të sistemit oligarkik në Kosovë, kurse shumë prej luftëtarëve të thjeshtë të luftës vijojnë të jetojnë në kufijtë e mbijetesës ekonomike), si dhe për të kërkuar midis shumë alternativave atë që bën më të mirën për qytetarin dhe shtetin e ri. Konkretisht, zgjedhjet e sotme në Kosovë kanë disa tipare e cilësi që vlejnë të theksohen për publikun dhe sidomos ata që merren me studimet politike, parlamentare dhe zgjedhore.

Së pari, këto janë zgjedhjet e vetme politike ku asnjë palë politike nuk ka bindje në fitore dhe ku diferenca midis dy partive më të mëdha politike është minimale. Në dallim nga 2001 e 2004 kur LDK pritej të ishte fituese e dukshme, apo 2007 dhe 2010 ku fitorja e PDK ishte formalitet, më 2014 as njëra dhe as tjetra nuk kanë garanci paraprake se mund të jenë fitues zgjedhorë. Dobësimi i dy partive të mëdha nuk ka ardhur nga rritja e konkurrencës nga partitë e tjera, por kryesisht nga paaftësia e partive të mëdha për të funksionuar si alternativa të besueshme politike.

Dy liderit kryesorë politikë, Thaçi e Mustafa, me gjithë nuancat në dallime, në thelb përfaqësojnë tranzicionin dhe thuajse të njëjtën filozofi qeverisë, - un-in politik të liderëve, mungesa e aftësisë së tyre për të frymëzuar lëvizje politike masive, konsumimi i gjatë në pushtet qendror ose lokal, sjellja e ashpër me kritikët brenda forcave të tyre politike, si dhe skepticizmi në vullnetin dhe aftësinë e tyre reale për reforma të thella, model tjetër mirë-qeverisës dhe vizion perëndimor drejtimi.

Së dyti, Kosova përballet me një oligarki politike dhe ekonomike, që e ka personalizuar dukshëm jetën politike dhe institucionale. Pothuajse çdo kryetar partie e ka identifikuar forcën politike me veten e tij, listat elektorale përfshijnë të preferuarit e tyre, palët janë aq të përafërta në sjellje e modele negative sa shpresa e vetme mbetet zgjedhja e të keqes më të vogël. Nëse tek PKD kjo i dedikohet një klani personal që kryeministri ka krijuar në parti, qeveri, parlament, biznes, media dhe jetën publike, në LDK kjo buron nga paaftësia e lidershipit aktual për të plotësuar boshllëkun e madh që krijoi periudha post – Rugova. Mustafa nuk është i akuzuar dhe nuk ka profil kritik sa rivali i tij kryesor politik, por ai është dhe konsiderohet pjesë e një sistemi rutinor dhe jo frymëzues qeverisës, arsye për të cilat humbi edhe zgjedhjet për Prishtinën.

Së treti, përballë oligarkisë nuk ka alternativa të tjera të ndryshme, por modele të njëjta më të vogla. Sistemi politik dhe elektoral në Kosovë nuk lejon surpriza të mëdha: partitë e reja qytetare dhe liberale kanë shanse minimale për të kaluar kufirin 5% të votave, kurse votuesit në tërësi janë të pritur të votojnë me parimin e klientelës ekonomike, krahinore, personale dhe pragmatiste. Testimet e mëparshme “Ora” apo “Fryma e Re” rezultuan të dështuara, ato parti nuk arritën të mbijetojnë as formalisht.

Me ketë rrezik përballen sot dy forca politike me rëndësi: Nisma për Kosovën e themeluar nga dy prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Thaçit, tashmë kritikët më të ashpër ndaj tij, Krasniqi dhe Limaj, si dhe Aleanca për Kosovën e Re e drejtuar nga biznesmeni-politikan Behxhet Pacolli. Dy palët priten të luhaten në limitet e kufirit minimal zgjedhor, por ndikimi i tyre është i ndryshëm. Vota e AKR mund të vijë nga burime të tjera prej atyre të PDK apo LDK, kurse vota e Nismës është pothuajse tërësisht votë rrjedhëse nga PDK. Për këtë arsye rreziku më i madh i PDK nuk është LDK, por vetë fraksioni i Nismës, - praktikë që në Shqipëri ka funksionuar për të mundësuar disa herë rotacione politike.

Së katërti, AAK e Rramush Haradinaj pritet të kenë një rol thelbësor në modelin e ardhshëm qeverisës. Ai, ashtu si liderit e PDK, PDK, AKR, etj, pretendon postin e kryeministrit të ardhshëm, duke e bazuar atë jo direkt në fitoren personale të votave, por në fatet e koalicioneve politike post-zgjedhore. Krahas AAK, e cila pritet të ketë rritje, Vetëvendosja përbën një faktor me rëndësi politike. Me suksesin në Prishtinë Vetëvendosja ndodhet në pozita pretenduese, edhe pse ajo nuk ka ende një projekt të qartë politik për të ardhmen.

Për të qeverisur do ti duhet koalicion politik, por bashkëqeverisja është çështje bisedimesh, sa edhe proces deformues ndaj identitetit politik personal. A është e gatshme Vetëvendosja të paguajë koston e braktisjes së parimeve në emër të hyrjes në pushtetin e ri politik? Përgjigjia e kësaj pyetje mund të jetë përcaktuese për mazhorancën e re parlamentare.

Së pesti, në këto zgjedhjet pakicat etnike nuk kanë kuota fikse mbi të cilat siguroheshin mandate shtesë etnike. Ky zhvillim lë të kuptohet se elitat politike në Prishtinë janë të gatshëm të jenë më të “pavarur” në zgjedhjen e partnerëve të rinj qeveritar, si dhe parlamenti i Kosovës bëhet më demokratik dhe përfaqësues.

Së gjashti, fushata elektorale në Kosovë mbetet një fotokopje e elementëve propagandistikë dhe negativë që kemi parë edhe në Tiranë apo Shkup: premtime pa fund, oratori personale dhe shkëmbim favoresh, përfshirje masive e shtetit në fushatë, konsumimin e buxhetit shtetëror për qëllime elektorale, si dhe miratimi i çdo kërkese lobuese apo burimore në vota, pavarësisht seriozitetit të saj dhe pasojave që miratimi sjell në sistemin e ri politik dhe qeverisës të Kosovës.

E tillë ishte masa e qeverisë për votat estremiste fetare përmes lobingut fetar dhe lejimit të përdorimit të shamisë në shkolla, masat shpërblyese financiare për kategori të shumta sociale, përurimet e veprave publike në fushata, deri edhe zbritja e liderëve politikë nga sallonet luksoze të pushtetit deri tek arat e mbjella, traktorët, kuzhinat e gatimit në restorante dhe deri tek fushat e vogla ku lozin fëmijët e lagjeve. Të gjithë mendojnë për votën, pakkush mendon për gropën financiare që po krijohet e zgjerohet cdo të ditë e më shumë në kërkim të votave elektorale.

Së shtati, zgjedhjet kanë dimension kryesor testin e aftësive demokratike të Kosovës. A do bëhen zgjedhje të drejta? A do ketë manipulime apo kontestime? A do ketë rotacion politik dhe një lidership të ri shtetëror? A është Kosova e aftë të mbyllë përfundimisht periudhën e zgjedhjeve të kontestuara dhe a mund të prodhojnë zgjedhjet një reformim pozitiv të sistemit dhe elitës politike? Shumica e përgjigjeve janë negative ose skeptike. Shumica e skenarëve nuk lë shumë shpresa për ndryshime, kur Kosova ka nevojë për ndryshime radikale.

Një parlament i ndarë midis 4-5 partive me potenciale koalicioni nuk jep shpresë ndryshimi sistemi, por thjesht ndryshimi rolesh. Njësoj si Shqipëria ku rotacioni i posteve nuk është shndërruar ende në ndryshim e reformim sistemi. Vetë Shqipëria ndjehet dhe zgjodhi të jetë gabimisht jashtë zgjedhjeve në Kosovë, asnjë parti nuk arriti të lobojë për partnerët e vet politikë dhe se vetë shteti shqiptar nuk ka ndonjë skenar politik për Kosovën e sotme dhe atë postzgjedhore. Kjo tërheqje lidhet sa me konceptin e “shtetit tjetër” aq edhe me kartat minimale morale e politike të faktorit politik të Tiranës për të ndikuar sadopak mbi votuesit dhe aktorët politikë të Kosovës.

Së fundi, përveç rezultatit zgjedhor, kjo e dielë do të përcaktojë drejtuesit e rinj politikë të Kosovës, të cilët do të duhet të udhëheqin procesin kompleks të bisedimeve me fqinjët veriorë, të reformave të kërkuara në kuadër të integrimit evropian, si dhe të jetësimit në maksimum të pavarësisë së pakushtëzuar të shtetit të Kosovës. Perceptimi publik është se e diela do sjellë rezultate surprizë dhe se Kosova do ketë një lider të ri politik në krye të ekzekutivit, - diçka e nevojshme për të dhe në rast legjitimiteti të qëndrueshëm, - shprehje e një cilësie të re të demokracisë ende të brishtë në Kosovë. Pas numërimit të votave nis fushata për koalicionet e mundshme dhe manovrat për ndarje pushteti midis partnerëve politikë, të cilët mund të jenë edhe vetë palët e kundërta të fushatës elektorale.

Për të gjitha këto arsye Kosova sot është në sprovë demokracie, institucionale, pjekurie, dhe se pas zgjedhjeve Kosova do vijojë të përballet me një sfidë shumë më të madhe sesa zgjedhjet, - betejën ende të pafilluar kundër korrupsionit masiv, luftën praktike kundër varfërisë në rritje, reformat që premtojnë më shumë stabilitet financiar dhe qeverisje më transparente dhe më qytetare, - siç edhe procesin ende të gjatë të njohjes së plotë ndërkombëtare dhe të integrimit real në familjen e madhe evropiane. Ndaj me zgjedhjet nuk zgjidhen problemet, por mund të jepet një sinjal shprese dhe shtysë për ecjen më të sigurt për t’i shndërruar këto zgjedhje në zgjidhje të qëndrueshme dhe cilësore për shtetin dhe qytetarët e Kosovës.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)