PRISHTINË, 6 Mars /ATSH-B.jashari/.- Në Prishtinë u zhvillua sot Forumi i Nivelit të Lartë, ku u prezantuan pikat kryesore të Programit Qeverisës 2015-2018, para komunitetit të donatorëve dhe agjencive të tjera dhe u shqyrtuan disa prej çështjeve që kanë të bëjnë me mbështetjen e programeve ekonomike zhvillimore të Kosovës nga donatorë të ndryshëm.
Kryeministri Isa Mustafa duke hapur takimin e Forumit të Nivelit të Lartë, përshëndeti pjesëmarrjen e Samuel Zhbogar, përfaqësuesit të Bashkimit Evropian, zëvendësambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jennifer Bachus, e të gjithë përfaqësuesve tw tjerë diplomatikë, akademikë, të fondacioneve dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare, duke e vlerësuar shumë të rëndësishme.
Mustafa njoftoi se, një javë më parë Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar Programin Qeveritar për katër vitet e ardhshme. "Kemi përcaktuar orientimet tona themelore, të cilat kryesisht janë të fokusuara në zhvillimin ekonomik, në rritjen ekonomike, në hapjen e vendeve të reja të punës dhe në rënien e varfërisë, si dhe në forcimin e shtetit të së drejtës, si komponent shumë i rëndësishëm i tërheqjes së investimeve të huaja dhe stabilitetit ekonomik", theksoi kreu i qeverisë së Kosovës.
Përveç programit ekonomik, vijoi ai, ne do të iniciojmë hartimin e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit për periudhën 2015-2020, e cila po bëhet për herë të parë në Kosovë dhe përmes së cilës strategji, ne do të definojmë edhe më tutje prioritetet tona ose prioritetet e prioriteteve, duke u fokusuar kryesisht në projekte dhe programe ekonomike, të cilat krijojnë vende të punës dhe të cilat krijojnë perspektivë zhvillimore në njërën anë dhe, po ashtu edhe pjesëmarrjen tonë në tregun regjional, evropian dhe atë botëror.
"Programin tonë ne e kemi llogaritur në partneritet me Bashkimin Evropian, kemi llogaritur po ashtu në fondet e veçanta të IPA-s, të cilat mund t'i shfrytëzojmë në periudhën e ardhshme kohore dhe, po ashtu kemi vlerësuar gjithë ndihmën dhe financimin që është dhënë nga programi IPA deri në periudhën e tanishme, si dhe nga fondet tjera të Bashkimit Evropian", theksoi Mustafa.
Kemi vlerësuar po ashtu, vijoi ai, pjesëmarrjen e drejtpërdrejt të qeverive dhe të bizneseve të vendeve të tjera në projektet e ndryshme, të cilat sot po funksionojnë në Kosovë dhe të cilat kanë krijuar kushte që ekonomia jonë të ketë mundësi që të zhvillohet.
"Ne jemi të interesuar që ta rrisim ekonominë përmes rritjes së normës vjetore të rritjes ekonomike, përkatësisht të GDP-së, e cila do të mundësonte një normë të punësimit që do të përfshinte fluksin vjetor të të papunëve që hyjnë në tregun e punës, që për ne sipas evidencave të deritanishme sillet ndërmjet 25 mijë deri në 30 mijë të papunë çdo vit dhe, po ashtu më vonë t'i qasemi edhe kontingjentit të të papunëve të cilët janë në zyrat e punës", tha kryeministri kosovar, duke theksuar reformat në sferën e ekonomisë.
Mustafa tha se "do t'i jepet prioritet tani energjisë elektrike, sepse mendohet se ajo është e pamjaftueshme për nevojat e ekonomisë dhe nevoja familjare, dhe se do të punohet në rivitalizimin e sektorit të minierave dhe në përcaktimin ekonomik të statusit të Trepçës".
"Po e theksoj në përcaktimin ekonomik jo pronësor, sepse ne do të përcaktohemi në ekonomi të tregut dhe në vlerësimin e kritereve të tregut gjithsesi, dhe assesi të kthehemi mbrapa sa i përket çështjeve pronësore. Jemi të interesuar që Trepça edhe pasuritë tjera minerare të shfrytëzohen me kushtet sa më të mira ekonomike, në mënyrë që të krijojnë në njërën anë vende pune, dhe në anën tjetër të krijojnë qasjen tonë në tregje dhe tërheqjen e investitorëve të jashtëm", theksoi kryeministri Mustafa.
Ai vuri theksin edhe për zhvillimin e turizmit, qoftë si turizëm të brendshëm, por edhe në bashkëpunim me vendet në rajon."Në 25 të këtij muaji kemi takimin me ministrat e Jashtëm dhe të Infrastrukturës, me të cilët do të diskutojmë çështjet e bashkëpunimit në sektorin e energjetikës dhe në sektorin e infrastrukturës. Kemi hapësirë të diskutojmë edhe për sektorët e tjerë, dhe kjo do të jetë një përgatitje e mirë për takimet të cilat do të jenë në mesin e këtij viti në Vjenë, ku do të trajtojmë bashkëpunimet me vendet në rajon sa i përket zhvillimit ekonomik", theksoi Mustafa.
Ai ritheksoi se, një shtyllë tjetër shumë e rëndësishme për Kosovën është ajo e forcimit të shtetit të së drejtës. "Jemi të interesuar që shteti i së drejtës të funksionojë, të jetë mbështetje e fuqishme e sektorit të zhvillimit ekonomik, të zgjidhen të gjitha kontestet të cilat janë në procedurë, e që janë të lidhura me ekonominë, dhe poashtu të ulim korrupsionin dhe krimin e organizuar, në mënyrë që ai mos të jetë pengesë e tërheqjes së investimeve të huaja direkte dhe e punës së investitorëve të jashtëm por edhe investitorëve të brendshëm në vendin tone", u shpreh Mustafa.
Ne, vijoi kryeministri i Kosovës, jemi të interesuar që të forcojmë axhendën tonë evropiane, jo vetëm në fushën e ekonomisë, por edhe në fushën e arsimit dhe të shëndetësisë./k.s/












