TIRANE - Halim Kosova, kandidati demokrat për kryetar të bashkisë së Tiranës është takuar me banorë të njësisë 8 dhe të zonës së Dajtit. Teksa takoi punonjës të një ndërmarrjeje fasone, Kosova premtoi uljen e taksave si dhe ofrimin e shërbimeve në çdo  cep ku jetojnë qytetarët. Sipas Kosovës, qytetarët janë lodhur e janë zhgënjyer nga politika boshe e cila nuk sjell asnjë zhvillim.

Bashkia do të jetë shumë miqësore me biznesin, duke e parë këtë si një mundësi reale për punësim. Dhe punësimi është kryefjala e çdolloj bisede që unë kam bërë deri sot. 1 milion banorë në Tiranën e madhe do të kenë mundësi të përfitojnë aty ku ata banojnë, nga lehtësirat që Bashkia e ardhshme e Tiranës do të ofrojë”, tha Kosova. 

Gjatë një takimi me banorët e Njësisë 8 në Tiranë, Kosova tha se qytetarët janë të lodhur e të zhgënjyer nga politika boshe që nuk sjell zhvillim. Ai tha se ka ardhur koha për të sjellë besimin përmes punës dhe dinjitetit.

Eshtë shumë e rëndësishme për çdo banor të qytetit të Tiranës që të shohë një dritë jeshile për problemet që kanë. Në këto dy vjet ju e keni parë që politika i ka rënduar hallet, është shkëputur nga qytetari dhe ka krijuar probleme aq sa kurrë më parë ndonjëherë, përveç viteve 90, nuk kemi parë kaq shumë njerëz që shpresën e tyre për të ardhmen ta kenë tek valixhet dhe të nisen jashtë pa ndonjë destinacion, vetëm të ikin nga ky vend për të gjetur një jetë më të mirë. Ne, të jeni të sigurtë, që do kthejmë shpresën se çdo njeri; prindin, familjen, lagjen ku është rritur, vendin ku është rritur, e lë vetëm për një arsye madhore dhe ajo është buka e fëmijëve. Në qoftë se të gjitha këto mundësitë, me punë dhe dinjitet, ne i krijojmë në vendin tonë, dhe ata që janë jashtë do vijnë këtu por për momentin as ata nuk e kanë të sigurtë pavarësisht vështirësive që ata kanë në vende të ndryshme. Kështu që ne do ta fillojmë një epokë të re bashkëpunimi në mënyrë që ti kthejmë mirëqënien e munguar prej shumë vitesh qytetarëve të Tiranës, banorëve të Tiranës”, tha Halim Kosova.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)