PRISHTINË-Rivazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, pas nisjes e ndërprerjes në 17 korrik dhe rindërprerjes në 18 shtator, ende nuk është ftuar zyrtarisht, por pritet javën e ardhshme sipas deklaratave pas pajtimit në parim PDK-LDK, nga liderët Hashim Thaçi e Isa Mustafa, për koalicionin ndërpartiak,  mbrëmjen e 19 nëntorit.
Në deklaratat zyrtare gjatë javës, PDK ka njoftuar "përkrahjen unanime arritjes së koalicionit ndërmjet dy forcave politike, që garantojnë stabilitet politik dhe perspektivë evropiane për Kosovën" , ndërsa LDK ka "konfirmuar dhe ka përkrahur arritjen e marrëveshjes në parim" dhe "ka pranuar urime nga partnerët e saj ndërkombëtarë, ku edhe iu është konfirmuar mbështjetja në qeverisje".
"Shkrirja e akullnajës" së "ngrirjes" së gjatë politike e institucionale pas zgjedhjeve të 8 qershorit ndodhi me pajtimin në parim të partive më të mëdha të koalicioneve parazgjedhore e paszgjedhore, PDK e LDK, për koalicionin ndërpartiak, javën e kaluar në mbrëmjen e 19 nëntorit.
Dhe, menjëherë, nisi puna e grupeve të përbashkëta PDK-LDK "në përcaktimin e marrëveshjes, që përfshinë axhendën qeverisëse, programin qeverisës, strukturën qeverisëse dhe ndarjen e përgjegjësive".
Thirrja e rivazhdimit të seancës konstituve të Kuvendit varet nga finalizimi i marrëveshjes nga grupt punuese e nga partitë e koalicionit. Derisa grupet e përbashkëta vazhdojnë punën, sipas shtypit të sotëm kosovar, "palët janë marrë vesh që asnjë informatë mos të rrjedhë deri në finalizimin e marrëveshjes".
"Një anëtar i PDK-së, pjesë e këtij grupi punues, në kushte anonimiteti", citohet të ketë thënë se "deri të hënën do të përfundojnë të gjitha punët rreth dizajnimit të qeverisë së re si dhe harmonizimit të programit qeverisës. Ne besojmë se institucionet do të krijohen javën e ardhshme".
Thirrja dhe përfundimi i seancës konstituive pritet t'i jep fund një kohe të gjatë më shumë se gjysëm viti të Kosovës pa Kuvend funksional.
Sipas kronologjisë së zhvillimeve, Kuvendi i Kosovës, i legjislaturës së kaluar, të katërt, u vetëshpërnda në një seancë të jashtëzakonshme në 7 maj dhe menjëherë u shpallën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat u mbajtën në 8 qershor dhe u vlerësuan ndërkombëtarisht një hap përpara në konsolidimin e demokracisë.
Në 10 qershor u nënshkrua marrëveshja për koalicion paszgjedhor LDK-AAK-Nisma, të cilat subjekte në 10 shtator nënshkruan edhe marrëveshjen e parimeve me VV-në dhe zhvilluan disa takime së bashku, të fundit në 14 nëntor, pa marrëveshje të re. 
LDK kërkonte ridizajnim të marrëveshjes së 10 qershorit, që t'i takonte asaj posti i kryeministrit, për të cilin ishte nominuar kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, pasi zbatimi i plotë i marrëveshjes u  pamundësua nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i 26 gushtit, e cili anuloi zgjedhjen e pas ndërprerjes së seancës konstituive të 17 korrikut të  liderit të LDK-së, Isa Mustafa, për kryeparlamentar, edhe për faktin se të drejtën për të propozuar kryetarin e Kuvendit e ka vetëm fituesja e zgjedhjeve. PDK, fituesja e zgjedhjeve në koalicionin parazgjedhor, nuk arriti numrat për kandidatin e saj për kryeparlamentar, Arsim Bajramin, në vazhdimin e seancës konstituive në 18 shtator, e cila u rindërpre. Rivazhdimi i seancës konstituive i thirrur pastaj për 2 tetor me axhendë për të tretën herë zgjedhjen e Kryetarit e nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës u shty dhe nuk u thirr më nga kryesuesja, deputetja më e vjetër Flora Brovina, pa u arritur një marrëveshje mes partive  nga koalicioni parazgjedhor që kishte të drejtën të propozojë kryeparlamentarin por nuk i kishte numrat dhe koalicioni paszgjedhor që i bëri numrat, por nuk kishte të drejtën.
Kryesuesja, në njoftimin dërguar deputetëve theksonte se shtyrja e rivazhdimit të seancës konstituive bëhej "me qëllim të krijimit të hapësirës së mjaftueshme për tejkalimin e krizës politike dhe institucionale, në mënyrë që seanca të përfundojë me sukses".
Rivazhdimi dhe përfundimi i seancës konstitutive të Kuvendit pritet ta ketë në axhendë pos zgjedhjes së kryeparlamentarit edhe zgjedhjen e kryeministrit dhe qeverisë së re të Kosovës, dhe kjo ëshë e mundshme të ndodhë para festë së Ditës së Flamurit e më së largu në fillim të dhjetorit, kur bëhen plot katër vjet nga zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 12 dhjetorit  2010.
Vitin e Ri 2015 Kosova do e presë me qeverinë e re, të zgjedhjeve të pesta në liri, të dyta në pavarësinë e njohur deri tash nga 108 shtete anëtare të OKB-së./ATSH/