Kosova mori sot ftesën për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes për Gazën. Analisti Valon Arifi përmes një lidhje të drejtëpërdrejtë në ‘Sot Live në Shqipëri’, tha se ftesa iu dërgua presidentes Osmani dhe jo kryeministrit Kurti për shkak të mosbesimit që SHBA-ja kanë ndaj këtij të fundit.
“Vetë ftesa për Kosovën është një sukses për vendin që të jetë pjesë e këtij forumi botëror të udhëhequr nga SHBA-ja, në raport me krizën globale në Gaza. Në Shqipëri ftesa i erdhi kryeministrit Rama, ndërsa në Kosovë i erdhi presidentes Osmanit dhe jo Kurtit. Kjo ka ardhur për shkak të mosbesimit ndaj Albin Kurtit. Mendoj se është më shumë mungesë mirëbesimi të krerëve të Amerikës ndaj Kurtit, sesa pozicioni që mbart”, tha analisti Valon Arifi.
Ndër të tjera ai shtoi se Albin Kurti ka bërë shumë gabime drejt ndërkombëtarëve, veçanërisht ndaj SHBA-së. Sipas analistit Kurti u ka bërë shumë premtime, por nuk i ka mbajtur.
“Administrata amerikane qoftë ajo e tanishme dhe ajo e kaluar kanë dyshime ndaj Kurtit për shkak të moszbatimit të disa dakordësive që Kurti kishte bërë me ta. Unë mendoj se Kurti ka gabuar shumë me ndërkombëtarët veçanërisht me SHBA-në, në kuptimin që u ka premtuar shpesh të zgjidhë probleme, veçanërisht me pakicat kombëtare, si ajo serbe. Kurti nuk i ka mbajtur premtimet. SHBA-ja ende vazhdon të ketë mosbesim te Kurti”, theksoi ai.
Teksa u pyet nga moderatori Nertil Agalliu, për rinumërimin e votave, Valoni nënvizoi se nëse procesi i rinunërimit nuk mbyllet deri në fund të këtij muaji atëherë vendi do të shkojë drejt një krize politike.
“Kosova ka vite që mbahet si vend model për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në rajon, por duket se pas kaq vitesh doli në pah ajo që paska ndodhur në secilën zgjedhje - pra deputetët e të gjitha partive politike kanë vjedhur vota. Kjo doli në pah fillimisht në Komunën e Prizrenit. Hajni të tilla në Kosovë paska pasur në çdo zgjedhje. Pra bie poshtë se Kosova ka pasur zgjedhje demokratike. Rinumërimi i votave mendoj se do të shtyjë formimin e qeverisë deri në mars. Nëse nuk numërohen votat deri në fund të këtij muaji Kosova do të shkojë sërish drejt një krize politike”, tha ndër të tjera ai.
Komente









Pse i jepet faji Albin Kurtit? Pse perendimoret nuk e duan dikend qe mundohet ta mbron popullin dhe vendin e vet ,por sikur Albini te bente si duan ata ta shiste Kosoven ta ndante per gjysem mos luftonte korupsionin dote ishte per ata ma i miri kryeminister qe ka pasur Kosova ,perendimi e sheh sesa mbeshtetje ka Albini tek populli dhe mjafton ,por keta nuk e duan se eshte kundershtari i forte kunder Vucicit shoku i perendimit e shperblejne te gjith nga frika se po shkon me Mosken pra Albini nuk eshte gabim por perendimi dhe opozitat ne Kosove .
Përgjigju