Kosova në ditë historike, merr
fund mbikëqyrja e pavarësisë

Kosova në ditë historike, merr<br />fund mbikëqyrja e pavarësisë
VJENE - Grupi Ndërkombëtar Drejtues i jep fund fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Në takimin e sotëm të Grupit Drejtues Ndërkombëtar, vendet që e kanë njohur pavarësinë deklaruan se Kosova i ka përmbushur shumicën e kritereve ndërkombëtare për të funksionuar si shtet pa mbikëqyrje.

Nga dita e sotme, Kosovës po i hiqet mbikëqyrja ndërkombëtare, kurse mandati i ICO-së (Zyrës Civile Ndërkombëtare) pushon në shtator, deklaroi ministri austriak.

Ministri i Jashtëm i Austrisë Mihael Shpindeleger pohoi se kjo paraqet një ditë të madhe dhe historike për Kosovën. “Dua ta uroj Kryeministrin Thaçi dhe qeverinë për gjithë atë që kanë bërë në këtë drejtim. Mendoj se është shumë e rëndësishme që Kosova tani ka pavarësi të plotë. Austria do të vazhdojë mbështetjen e plotë për Kosovën në rrugën e saj të shtet-ndërtimit”, tha ai.

Shefi i ICO-së, Piter Feith deklaroi se Kosova ka bërë shumë përparime këto vitet e fundit. Ai ka lavdëruar përpjekjet për hapjen e Zyrës Administrative në veri dhe ka inkurajuar institucionet e Kosovës që në ditët në vijim t’i bëjnë ndryshimet e nevojshme ligjore - kushtetuese në mënyrë që të bëhet kalimi i kompetencave dhe përgjegjësive nga zyra e tij tek autoritetet vendase. “Mandati i Zyrës Civile ka nisur në Vjenë dhe po përmbyllet këtu. Kjo është simbolikë e mirë. Sot Grupi Drejtues Ndërkombëtar ka marrë vendime të rëndësishme. Së pari ka miratuar propozimin që t’i jepet fund pavarësisë së mbikëqyrur, së dyti ka dhënë dritë të gjelbër që të bëhen ndryshimet e nevojshme në Kushtetutë dhe së treti është vendosur që të mbahet një takim tjetër në Prishtinë në shtator, që do të përmbyllë mandatin tim dhe do të mbyllë Zyrën Civile Ndërkombëtare”, ka thënë Feith.

THACI: DITE HISTORIKE
Kryeministri Hashim Thaçi tha se kjo paraqet një ditë historike për Kosovën për të cilën ai tha se meritat i ndajnë së bashku institucionet e Kosovës dhe komuniteti ndërkombëtar. "Konsideroj se bashkërisht të gjithë, kemi bërë një punë të shkëlqyeshme, e cila e ka bërë Kosovën në shtet të respektuar në rajon dhe me gjerë. Unë e di se ende kemi punë për të bërë. Ne duhet të forcojmë sundimin e ligjit dhe të rrisim mirëbesimin e qytetarëve tanë. Ne duhet të rrisim nivelin e bashkëpunimit ekonomik. Ne duhet të realizojmë potencialin tonë të plotë të decentralizimit dhe të sigurojmë qytetarët tanë se qeveria e tyre është përgjegjëse për nevojat e tyre”, është shprehur Thaçi

MBETET PRANIA E EULEX DHE KFOR
Sipas vendimit të sotëm të Grupit Ndërkombëtar Drejtues, Kosova ka zbatuar me sukses obligimet e marra më Pakon e presidentit Ahtisari, por tani i mbetet që t’i bëjë edhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese që t’i marrë përsipër përgjegjësitë të cilat që nga shpallja e pavarësisë e këndej i ka ushtruar Zyra Civile Ndërkombëtare. Megjithatë, edhe nëse do të vendoset fundi i mbikëqyrjes ndërkombëtare, Bashkimi Evropian do ta vazhdojë praninë e vet në Kosovë përmes misionit për polici dhe sundim të ligjit - EULEX, përderisa do të vazhdojë edhe prania e forcave paqeruajtëse të KFOR-it, që udhëhiqet nga NATO-ja.

(rg/im/sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Shpejtësi, alkool e celular në timon, rreth 9 mijë gjoba për një javë në Tiranë! Rrugorja bën ‘blinacin’

Shpejtësi, alkool e celular në timon, rreth 9 mijë gjoba për një javë në Tiranë! Rrugorja bën ‘blinacin’