PRISHTINË, 6 Tetor /ATSH-B.Jashari/.- Kosova do të marrë pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor në Bienalen e Venedikut. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve,  Memli Krasniqi, ka pranuar një letër nga drejtori i Bordit të Bienales së Venedikut. Kjo ngjarje kulturore, ku Kosova do ë jetë prezente, do të mbahet në muajt maj-tetor 2015. Ky është edicioni i 56-të i kësaj ekspozite dhe Kosova është pjesëmarrëse për herë të dytë. Në vitin 2013,  Kosova u prezantua me Petrit Halilajn.  Kosova merr pjesë prej dy vjetësh edhe në Ekspozitën Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venedikut. Herën e parë është prezantuar më arkitektin Përparim Rama, ndëra të dytën me Gëzim Paçarizin.
Në ditët në vazhdim, ministri Krasniqi do të marrë vendime për ekipin përfaqësues të Kosovës në këtë ekspozitë. Ai e vlerëson si shumë të rëndësishme prezantimin e Kosovës në këtë ngjarje. "Bienalja e Venedikut është një nga ngjarjet më të mëdha të artit në botë dhe prezantimi i Kosovës është shumë i rëndësishëm. Prezantimet kanë pasur një ndikim të madh në promovimin e artistëve tanë dhe në njohjen e skenës sonë kulturore. Tani, ne e kemi bërë traditë që të prezantohemi në një ngjarje si kjo dhe tradita nuk do të humbasë", tha ministri Krasniqi. /s.gj//a.ke/