BRATISLAVË - Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka fituar me rezultatin 3-4 në udhëtim ndaj Sllovakisë, në gjysmëfinale play-off të Kupës së Botës 2026. Të parët që kaluan në avantazh ishin vendasit që shënuan në minutën e pestë për rezultatin 1-0 falë një goditjeje të saktë me kokë nga qendërmbrojtësi Martin Valjent.
Pas golit të pësuar, Kosova e mori veten dhe shtoi intensitetin e lojës duke gjetur golin e barazimit. Ishte Veldin Hoxha i cili në minutën e 20-të të takimit realizoi një supergol nga jashtë zonës për rezultatin 1-1. Vendasit patën një mundësi të mirë shënimi në minutën e 36-të, por fatmirësisht për Kosovën goditja e Lukas Haraslin u ndal nga shtylla. I njëjti lojtar u tregua i saktë në minutën e 44-t kur nga gjuajtja e lirë realizoi për rezultatin 2-1.
Me të filluar pjesa e dytë, Kosova barazoi gjithçka në 2-2 falë një shkëputjeje fantastike në ajër nga Fisnik Asllani. Nuk vonoi shumë dhe ‘Dardanët’ realizuan golin e përmbysjes me anë të Florent Muslijës i cili në minutën e 59-të realizoi një gol spektakolar nga goditja e dënimit për 2-3.
Golin që e vulosi fitoren e madhe Kosova e gjeti në minutën e 71-të kur pas një rrëmuje në zonë, Kreshnik Hajrizi shfrytëzoi një top të kthyer për ta dërguar në rrjetë për 2-4. Në shtesën e katër vendasit shënuan me David Strelec për 3-4, por Kosova ia doli të merrte një fitore historike.
Më 31 mars në stadiumin 'Fadil Vokrri' të Prishtinës, Kosova luan kundër Turqisë për biletën e finalave të Botërorit.
Kosova ka fituar në transfertë përballë Sllovakisë në ndeshjen e vlefshme për gjysmëfinalen e play-off-it të Botërorit 2026. Sfida e zhvilluar në Bratislavë, përfundoi me shifrat 3-4. Pas këtij dueli ka folur edhe trajneri i “dardanëve”, Franco Foda. Tashmë, Kosova do të përballet më 31 mars me Turqinë në Prishtinë, për aktin e fundit që vulos ëndrrën e Botërorit.
“Ka qenë një ndeshje fantastike për tifozët sepse ka pasur shumë gola. Normalisht jam krenar me skuadrën që shënuam katër gola, posedimin dhe si dolëm në tranzicion. Pranuam tre gola, dy prej tyre nga gjuajtjet e lira dhe të shohim si do të reagojmë në ndeshjet e radhës sepse jo gjithmonë mund të shënojmë katër gola, që nuk është e lehtë për ne për të fituar siç fituam sonte.
Nëse do të kishim kapacitet atëherë do të kishim një stadium të stërmbushur me 100 mijë tifozë sepse të gjithë do të donim të ishim aty. Por kujtojmë se Turqia është një kundërshtar shumë i fortë me futbollistë shumë kualitativ. E kuptoj popullin e Kosovës, por ndaj Turqisë duhet të tregojmë më shumë qetësi si dhe të mos bëjmë gabime siç bëmë sonte”, tha Foda.
Komente







Urime KOSOVA, shihem ne USA
Përgjigju