PRISHTINË- Kosova nisi sot ndërtimin e rrugës nga Deçani deri në Plavë të Malit të Zi me një gjatësi prej 35 kilometër, një projekt ky 5 vjeçar, me vlerë totale 50 milionë euro.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në përurimin e fillimit të punimeve u shpreh se kjo rrugë nga Deçani në Plavë realizon ëndërrën historike të qytetarëve.
"Sikur autostrada që lidhë Kosovën me Shqipërinë, pastaj autostrada Prishtinë-Shkup, edhe kjo rrugë lidhë shqiptarët që jetojnë në Plavë me shqiptarët që jetojnë në Republikën e Kosovës", tha Thaçi.
Kryetari i komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj ka vlerësuar përurimin e kësaj rruge si një ngjarje të veçantë me karakter nacional.
"Për komunën e Deçanit ky është projekti më i rëndësishëm në histori, do të krijojë perspektivë për zhvillimin e turizmit dhe të ekonomisë", tha ai.
Kryetari i komunës së Plavës, Orhan Shahmanoviq është shprehur se shpreson që edhe Mali i Zi do të nisë punimet në pjesën e rrugës nga Plava. "Shpresojmë që shpejt të jemi sërish bashkë në hapjen e kësaj rruge", tha ai.
Pjesa e rrugës deri në Kozhnjar, e filluar prej qendrës së Lloçanit, ka gjatësi rreth 4 kilometra dhe është segmenti i parë i projektit Deçan-Plavë, me gjatësi rreth 20 kilometër në pjesën e Kosovës./ATSh/