/ATSH-B.Jashari/.- Të hënën e pas një jave, në 8 dhjetor, pritet të mbahet rivazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Seanca do të mbahet pikërisht në ditën e gjashtëmujorit të zgjedhjeve parlamentare të parakohshme të 8 qershorit, ndërsa marrëveshja përfundimtare për bashkëqeverisje PDK-LDK pritet të nënshkruhet brenda kësaj jave, pas pajtimit në parim për ndërtimin e koalicionit ndërpartiak në mbrëmjen e 19 nëntorit.

Paralajmërimet për marrëveshjen finale dhe datën e mundshme të rivazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, të ndërprerë dy herë, janë bërë nga vetë liderët, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, të cilët kanë zhvilluar katër takime, ndërkohë që grupet e përbashkëta punën intensive për finalizimin e marrëveshjes e vazhdojnë sot.

Nga grupet e punës nuk është dhënë asnjë deklaratë zyrtare, ndërsa në deklaratën e fundit të shtunën kryetari i PDK-së e kryeministri i Kosovës drejt përfundimit të mandatit të dytë, Hashim Thaçi, është shpreheur se "në Pejë, kisha kënaqësinë të takoja mbështetës të Misionit të Ri" dhe se është "impresionuese mbështetja për formimin e qeverisë së re".

Sipas shtypit të sotëm në Prishtinë, "grupet e punës të LDK-së dhe PDK-së me gjithë dallimet e mëdha kanë arritur në fazën finale të ndarjes së dikastereve dhe hartimit të programit qeverisës. Edhe pse shumë gjëra janë definuar, zyrtarisht heshtet për emrat e ministrave, por edhe të vetë kryeministrit".

Megjithatë, vijohet më tej, "posti i kreut të Qeverisë tanimë është punë e kryer dhe ai i takon Isa Mustafës", ndërsa "burime të ndryshme nga të dyja partitë kanë thënë se të hënën apo të martën pritet të nënshkruhet marrëveshja e plotë për qeverisje".

Thaçi dhe Mustafa në takimin në 25 nëntor kanë paralajmëruar se "subjektet e tyre politike dhe grupet e punës për harmonizimin e koalicionit bashkëqeverisës do të jenë të gatshme të ftojnë seancën e Kuvendit të Kosovës për t'i zgjedhur organet e këtij institucioni dhe votuar Qeverinë dhe programin e saj qeveritar në 8 dhjetor 2014".
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka nisur e është ndërprerë në 17 korrik, është rindëprerë në 18 shtator dhe është shtyrë në 2 tetor, pasi gjatë këtyre zhvillimeve koalicioni parazgjedhor nuk kishte numrin e mjaftueshëm të votave për të zgjedhur kryeparlamentarin, ndërsa koalicioni paszgjedhor nuk kishte të drejtën për të propozuar kandidatin, sipas aktgjykimit të Kushtetueses.

Koalicioni më i ri PDK-LDK pasoi si një lëvizje vendimtare, që hapi mundësitë për krijimin e institucioneve të vonuara tashmë në muajin e gjashtë të pas zgjedhjeve dhe "shkriu akullnajën" e "ngrirjes" politike kosovare, gjatë së cilës liderët e koalicionit paszgjedhor nuk takoheshin as komunikonin me koalicionin parazgjedhor.