TIRANË - Kandidati i së djathtë Halim Kosova pranoi humbjen në Bashkinë e Tiranës dhe uroi Erion Veliajn për fitoren e garantuar, e cila nuk ndikohet nga kutitë e fundit të mbetura ende pa numëruar në bashkinë e kryeqytetit. Kosova ruante fytyrën e qeshur që kishte pasur gjatë gjithë fushatës, e po ashtu, edhe në këtë ditë, nuk sulmoi askënd me akuza.
 
"Zgjedhjet mbaruan dhe ndërsa numërimi ende vazhdon, fituesi i kësaj gare rezulton Erion Veliaj të cilin dua ta uroj dhe të shpresoj që do ti mbajë premtimet e nuk do ti zhgënjejë qytetarët e Tiranës" , -tha Kosova.
 
Në një deklaratë nga selia blu me të rinj që mbështetën garën e Kosovës për të qenë kryebashkiak, kandidati i së djathtës shprehu falënderimet për qytetarët që i dhanë votën dhe i besuan programit të tij për të sjellë ndryshimin në kryeqytet. Takimet e drejtpërdrejta me banorët e të gjitha zonave të Tiranës, janë ato që duket se kanë lënë mbresat më të mëdha tek doktor Kosova, i cili u shpreh se është përvojë më e çmuar në jetën e tij.
 
“Jam këtu sot, për të shprehur falenderimet e mia të përzemërta për qytetarët e Tiranës, pa asnjë dallim partiak, veçanërisht ata që votuan me besim në platformën time që kishte themel punën dhe dinjitetin, punë jo fjalë. Në këto dy muaj, kam pasur qindra takime me banorë të Tiranës dhe bashkëbisedimi me ju të dashur bashkqytetarë do të mbetet një prej përvojave të mia më të çmuara. Unë zgjodha kontaktin e drejtpërdrejtë me qytetarin në çdo cep të Tiranës, në çdo rrugë e lagje, në çdo fshat dhe jo fushatën e luksit në ekran, i bindur se kjo ishte zgjidhja më e mirë", - u shpreh Kosova.
 
Një mbështetje të veçantë Kosova shprehu edhe ndaj partisë Demokratike, por gjatë deklaratës së tij të shkurtër la të kuptohet se do të jetë aktiv në politikat që ndikojnë jetën e kryeqytetasve.
 
"Dua të falenderoj Partinë Demokratike, anëtarët e simpatizantët tanë, të rinjtë e të rejat që shkuan derë më derë, komisionerët, numëruesit, vëzhguesit, që kanë punuar pa u lodhur dhe që shumë prej tyre janë ende duke qendruar pranë votës, për të garantuar deri në fund vullnetin e qytetarëve. Ata kanë në dorë një tjetër moment të rëndësishëm, që janë votat për Këshillin Bashkiak. Falenderoj nga zemra ekipin tim të fushatës, që punoi me shumë përkushtim. I premtoj qytetarëve të Tiranës se angazhimi im për të marrë përgjegjësi në interes të tyre do të vazhdojë pa u ndalur asnjë çast", - tha Kosova. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)