PRISHTINË, 1 Dhjetor /ATSH/.- Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë bërë një hap të madh përpara drejt partneritetit të tyre për katër vitet e ardhshme.
LDK do të marrë Kryeministrinë dhe të gjitha ministritë ekonomike, ndërsa PDK merr ministritë, që kanë të bëjnë me sigurinë dhe drejtësinë. Po ashtu, edhe Ministrinë e Arsimit.
Gjatë fundjavës, sipas burimeve të Gazetës Express, grupet e punës të dy partive kanë rënë dakord për ndarjen e ministrive.
Sipas marrëveshjes, LDK do të marrë Kryeministrinë dhe shtatë ministri tjera, kurse PDK merr tetë ministri.
"Pushteti do të ndahet në mënyrë të barabartë 8 me 8, meqenëse edhe Kryeministria konsiderohet ministri në organogramin qeveritar", tha për Express një zyrtar i përfshirë në bisedimet mes dy partive.
Katër ministri, ndërkaq sipas tij, pritet t'i marrin minoritetet. I njëjti burim ka treguar se LDK do të marrë të gjitha ministritë ekonomike; duke përfshirë Financat, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, atë të Tregtisë dhe Industrisë. Ndërsa PDK do të mbajë edhe më tej sektorin e sigurisë; Ministrinë e Brendshme, atë të Drejtësisë, FSK-në.
"Problem i madh ka qenë ndarja e Ministrisë së Arsimit, por përfundimisht kjo ministri do t'i mbetet PDK-së", tha burimi i gazetës./k.s/











