Kosovë- Bajrami kërkon angazhim maksimal në testimin PISA 2015

/ATSH/.- Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, në takimin e rregullt me drejtorët e drejtorive komunale të arsimit, theksoi rëndësinë e realizmit të planit qeveritar për ngritjen e cilësisë në arsim, përmes mobilizimit të nivelit qeverisës qendror dhe atij lokal, si aktorët kryesorë në këtë fushë, njoftoi shërbimi për informim i MAShT.
Ministri Bajrami tha se "Ministria e Arsimit po vazhdon me angazhimin e saj në ndërtimin e standardit të cilësisë, në të gjitha nivelet e arsimit, nga arsimi parafillor deri te arsimi universitar".
Duke folur për rëndësinë e përfshirjes së Kosovës në Programin Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve PISA 2015, ministri Bajrami vlerësoi se ky test ndërkombëtar do të jetë një shans i mirë për mbledhjen e informacioneve, mbi pasqyrimin e mësimnxënies në këtë fazë të shkollimit dhe ndryshimet e mundshme të politikave arsimore.
"Ky test ndërkombëtar ka për qëllim të vlerësojë shkallën e përvetësimit të kurrikulës shkollore nga ana e nxënësve, prandaj ju ftoj që të angazhoheni seriozisht në këtë vlerësim të rëndësishëm, sa i përket mbledhjes së të dhënave mbi njohuritë e nxënësve 15-vjeçarë në tri komponentë kryesorë: aftësitë në të lexuar, në matematikë dhe në shkenca të tjera natyrore", theksoi ministri Bajrami.
Në vlerësimin PISA 2015, i cili organizohet nga data 15-25 prill 2015, do të përfshihen 225 shkolla dhe mbi 5 mijë nxënës të moshës 15-vjeçare.
Bajrami njoftoi se është duke u punuar në reformimin e Provimit të Maturës Shtetërore, duke kaluar nga kriteri i kalueshmërisë në atë të arritshmërisë dhe duke mos e ulur aspak standardin e cilësisë.
Ai, ndër të tjera, foli edhe për zbatimin e Kontratës Kolektive, marrëveshjet e nënshkruara me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë, përgatitjen dhe trajnimin e mësimdhënësve dhe decentralizimin e buxhetit të shkollave.
Në takimin e sotëm, përfaqësues të GIZ-it kanë prezantuar botimin e dytë të projektit për "Qeverisjen e arsimit në komuna", projekt i Ministrisë Arsimit i realizuar me mbështetjen e organizatës gjermane./KosovaPress/

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Polonia akuzon Rusinë se po planifikon akte terroriste kundër linjave ajrore në mbarë botën