Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Kosovë, ku një grua është gjetur e vdekur mbrëmjen e së dielës në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës, disa orë pasi kishte shkuar në Polici për të denoncuar dhunën në familje.

Sipas Policisë së Kosovës, fillimisht rreth orës 19:00, policia ishte njoftuar për rastin e dhunës në familje. Gruaja ishte shoqëruar në komisariatin e Policisë për t’u marrë në pyetje, ndërsa bashkëshorti i saj ishte arrestuar dhe ndaluar për 48 orë.

Pas marrjes në pyetje, gruaja ishte dërguar në shtëpinë e saj në Vitomiricë, me vullnetin e saj, thuhet në njoftimin e Policisë. Por, rreth orës 21:10, policia ishte njoftuar se ajo ishte gjetur pa shenja jete në shtëpi. Ekipi mjekësor kishte konstatuar vdekjen e saj.

Sipas të dhënave fillestare të Policisë, dyshohet se gruaja vdiq si pasojë e goditjeve me një sëpatë. Policia ka bërë të ditur se autori dyshohet të jetë kunati i viktimës, i cili ndodhet në arrati.

Tri ditë para se të vritej, gruaja kishte dorëzuar një letër te kryeprokurorja e Pejës, duke kërkuar veprime urgjente ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, të cilët i akuzonte për moskryerjen e detyrave zyrtare, përfshirë ekzekutimin e një vendimi gjyqësor.

“Uroj që të mos detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, ka shkruar mes të tjerash ajo në letër.