/ATSH/.- Me rastin e festimit të 27 nëntorit, "Ditës së Forcës", krerët më të lartë të shtetit do të zhvillojnë homazhe në Prekaz në nderim të jetës dhe rënies së Komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për liri.

Homazhe në Prekaz do të bëjnë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, Ministri i FSK-së, Agim Çeku dhe Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, bën të ditur KosovaPress.

Më pas të pranishmit do të jenë në manifestimin "Dita e Forcës" dhe përveç tyre të pranishëm do të jenë edhe personalitete të tjera të larta politike dhe ushtarake, Komandanti i KFOR-it, përfaqësues të NLAT-it, të FSK-së, ambasadorët e akredituar në Kosovë, atashetë ushtarakë, përfaqësues të mediave, përfaqësues të jetës kulturore, artistike dhe sportive, nxënës të shkollave fillore të mesme, studentë, si dhe qytetarë të Kosovës.
Aty do të parakalojnë kuadratet e FSK-së.

Gjatë ceremonisë do të ketë ekzekutim të disa pikave muzikore nga Orkestra Frymore e FSK-së.

Po ashtu, do të bëhet përurimi i objektit të ri të Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK)

Manifestimi ushtarak mbahet në Kazermën "Adem JASHARI" në Prishtinë. Ndërsa Ceremonia e inaugurimit të ndërtesës së Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës mbahet në ambientet e MFSK-së.