/ATSH/.- Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ka pritur në takim komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admiralin Mark Ferguson, me të cilin bisedoi lidhur me çështjen e sigurisë për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe sundimin e rendit dhe ligjit.
Me këtë rast, ministri Hyseni e njoftoi admiralin Ferguson për arritjet dhe proceset nëpër të cilat është duka kaluar Ministria e Punëve të Brendshme. Ndërsa, admirali Ferguson shprehu gatishmërinë dhe angazhimin e tij për të përkrahur MPB-në në rrugën e saj të zhvillimit.
Ministri Hyseni dhe admirali Ferguson biseduan po ashtu në detaje çështjet e bashkëpunimit ndërkufitar me vendet fqinje në ruajtjen e qetësisë dhe sigurisë. Po ashtu, u bisedua edhe për progresin që Kosova ka bërë në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, si dhe ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.
Ministri Hyseni dhe admirali Ferguson vlerësuan shkallën e bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës dhe KFOR-it.