Një mesazh kërcënimi me jetë për kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, është publikuar nga grupi i njohur si 'Severna Brigada'.
Në mesazhin e bërë publik, thuhet: “Sa të lindë agimi mbi Kosovë, Albin Kurti do të jetë i vdekur”, ç'ka konsiderohet një përshkallëzim i retorikës kërcënuese ndaj institucioneve të Kosovës.
“Severna Brigada” është përmendur edhe më herët në lidhje me incidente dhe kërcënime me prapavijë ekstremiste në veri të vendit.
“Severna Brigada” në qershor të vitit 2023 është shpallur si organizatë terroriste nga Qeveria e Kosovës përmes një vendimi zyrtar.
Bashkë me “Severna Brigada”, organizatë terroriste ishte shpallur edhe “Civilna Zaštita” (Mbrojtja Civile).
Kryeministri Albin Kurti atëherë kishte deklaruar se këto grupe paraqesin “kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës”.
Ndërkohë, përmes një njoftimi, Policia ka bërë të ditur se mesazhi kërcënues për Kurtin është bërë nga brenda territorit të Serbisë. Policia njofton gjithashtu se ka identifikuar informacione që mund të ndihmojnë hetimin.

Foto: Postimi i 'Severna Brigada', në rrjete sociale

Policia e Kosovës ka reaguar lidhur me mesazhin kërcënues për eliminim fizik ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
Përmes një njoftimi, Policia thekson se ka ndërmarrë veprime intensive hetimore dhe se postimi i mesazhit kërcënues është bërë nga territori i Republikës së Serbisë, konkretisht nga qyteti i Kralevës.
Policia njofton gjithashtu se janë identifikuar IP-adresa e përdorur dhe të dhënat personale të përdorura gjatë regjistrimit, të cilat mund të ndihmojnë në hetim.
Kërcënimi ndaj Kurtit erdhi përmes një postimi në rrjetet sociale nga profili i quajtur ‘Severna Brigada’, e njohur edhe si ‘Brigada e Veriut’ (organizatë e cila nga institucionet e Republikës së Kosovës është shpallur organizatë terroriste).
“Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, më datë 08 maj 2026, ka pranuar në trajtim një informacion lidhur me një kanosje të adresuar ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, në rrjetet sociale nga profili i quajtur ‘Severna Brigada’, e njohur edhe si ‘Brigada e Veriut’ (organizatë e cila nga institucionet e Republikës së Kosovës është shpallur organizatë terroriste).
Në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), menjëherë janë ndërmarrë veprime intensive hetimore, me mbështetjen edhe të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike.
Nga hetimet e kryera është konstatuar se kanosja është publikuar përmes llogarisë facebook.com/severna.brigada.2025.
Bazuar në të dhënat e siguruara, postimi është bërë nga territori i Republikës së Serbisë, konkretisht nga qyteti i Kralevës në Republikën e Serbisë. Me këtë rast janë identifikuar IP-adresa e përdorur dhe të dhënat personale të përdorura gjatë regjistrimit.
Nga analizat e kryera nga njësitë kompetente janë identifikuar të dhëna shtesë që mund të ndihmojnë në hetimin intensiv të mëtejshëm nga Policia e Kosovës dhe PSRK”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Komente










Tani qe i duhen vota dalin dhe e kercenojne Serbet!!! A thua se hane bar Shqiptaret dhe nuk e kuptojne qe eshte loje e Serbise per te mbajt ne pushtet Albin Serbin.
PërgjigjuPer mu i ka pagù vete vete serbet qe ta votojne akoma me 7 qershore elektorati i ben kto qe te fitoi besim
Përgjigju