PRISHTINË - Kuvendi i Republikës së Kosovës, me kërkesë të kryeministrit të bërë paradite, sapo nisi sot pasdite një seancë të jashtëzakonshme, në të cilën do të shqyrtohet për herë të parë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre.

Paraditën e sotme, me propozim të Qeverisë, Kuvendi në një seancë plenare hoqi nga rendi i ditës Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet publike.
Në mbledhjen e dytë gjatë ditës së sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa,  ka aprovuar Projektligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike.

Projektligji i aprovuar sot përfshin edhe dy nene të reja, pos atyre për plotësim ndryshim sipas të cilave ndërmarrje të caktuara shoqërore mund të shndërrohen në publike me vendim të Kuvendit dhe me kërkesë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, parasheh edhe dy nene të reja.

Sipas plotësim ndryshimeve të propozuara, statusi i Kombinatit Xehtaro Metalurgjik Kimik Trepça do të rregullohet me Strategji dhe Ligj të veçantë, ndërsa ndërmarrjet që kanë hyrë në procesin e riorganizimit, falimentimit apo likuidimit, ndërpriten me hyrjen në fuqi të këtij ligji pa nevojën e ndonjë vendimi gjyqësor./ATSH/