PRISHTINE, 4 nentor/ATSH/. - PDK-ja nesër do të marrë vendimin se si do të veprojë ndaj  ngërçit të krijuar qe prej pesë muajsh që nga mbajtja e zgjedhjeve me 8 qershor, ben te ditur KosovaPress.
Por, lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, duke komentuar zërat se mund të ketë ridizajnim të marrëveshjes së bllokut LVAN, ka theksuar se nuk do të ketë as ridizajnim, as zgjidhje të ngërçit pa komunikimin me PDK-në. Ai është shprehur i gatshëm që të bashkëpunojë me LDK-në, si parti e qendrës së djathë, duke mos qenë përjashtues në këtë drejtim.
Pas takimit me anëtarët e Kryesisë së PDK-së, Hashim Thaçi, tha se diskutuan për përgatitjet e duhura për mbledhjen e nesërme të Këshillit Drejtues të Partisë, ku do të formësohet edhe qëndrimi për hapat e mëtejshme të PDK-së, në kuadër të ndërtimit të institucioneve të reja të Kosovës, duke respektuar gjithmonë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por edhe rezultatin zgjedhor.
Ai shtoi se është në interesin e vendit ndërtimi i institucioneve stabile, institucione me vlera euro-atlantike, institucione që punojnë për zhvillimin ekonomik, progresin e vendit, institucione që sjellin unitet politik edhe qytetar dhe institucione që janë bashkëpunuese me bashkësinë ndërkombëtare.
Thaçi eshte shprehur se "S'ka ridizajnim as tejkalim të ngërçit pa PDK-në". I pyetur nëse në mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK-së do të diskutohet për koalicionin me LDK-në, Thaçi ka thënë se ata asnjëherë nuk kanë qenë përjashtues me partitë tjera. "Nuk përjashtojmë bashkëpunimin me asnjë parti të qendrës së djathtë", theksoi ai. /a.ke/