Qytetarët e Kosovës nuk janë të interesuar për ndërrim të emrave në qeveri, por ata duan të ndryshojnë gjithë konceptin e qeverisë. Deklarata të tilla kanë dhënë disa qytetarë, të cilët ishin ftuar në një debat nga Lëvizja Vetëvendosje. Qytetarët e pranishëm në këtë debat, kane kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të rishikojë edhe një herë marrëveshjen e bërë me LDK, AAK dhe Nisma, pasi këta të fundit, sipas qytetarëve, ishin në qeverisje dhe nuk kanë asnjë ndryshim nga ministrat dhe liderët e PDK-së, ben te ditur KosovaPress.

Gjate debatit te drejtuar nga vet Kurti dhe dy anëtarët e tjerë të kësaj lëvizje, Ylli Hoxha dhe Puhie Demaku, ata kanë diskutuar dhe kanë marrë sugjerimet nga qytetarët për zgjidhjen e kësaj situate me të cilën po përballet Kosova për më shumë se 4 muaj. Rexhep Tërshnjaku, qytetar i Prishtinës, e faktoi me numrin e deputetëve, përfshirjen e Vetëvendosjes në marrëveshje me bllokun. Sipas tij, 63 deputetët nuk janë 63 për qind e votave të qytetarëve të Kosovës dhe prandaj nuk duhet që VV të bëjë qeverisje me LAN-in.

Ai theksoi se ne duam ndryshim të konceptit qeverisës e jo ndryshim të emrave. Kundërshtime për marrëveshjen e Vetëvendosjes pati edhe një qytetar tjetër nga Prishtina, i cili nuk u prononcua me emër. Për të dalë nga ngërçi, problem për Vetëvendosjen dhe bllokun, nuk duhet të jetë posti i kryetarit të Kuvendit, tha ai. Populli nuk duhet të jetë në kësi lloj situate për më shumë se katër muaj. Liderët e LAN-it, theksoi Kurti, janë të njëjtë me ata të PDK-së. Por, ai tha se për shkak të mashtrimit që ju ka bërë Thaçi liderëve të tjerë, këta të fundit nuk do ta mbështesin asnjëherë PDK-në, as s'do të ketë qeveri gjithëpërfshirëse. "Une jam i vetmi që nuk u mashtrova nga Thaçi", tha ai. I pyetur nga qytetarët se a do të organizojë LVV protesta për t`u larguar nga kjo situatë, Kurti pohoi se në rast se do organizohen blloku VLAN, atëherë do të protestojnë. Por, sipas tij, të vetëm jo, edhe pse do të jetë e drejtë po aspak e dobishme. 

ATSH