Përballja me një tumor shpeshherë nuk është e vështirë vetëm psikologjikisht, por sjell edhe shumë dilema për sa i përket mënyrës së ushqyerjes.

Nutricionisti Altin Joka, specialist i mjekësisë holistike, u ndal në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, në një analizë të plotë, për të shpjeguar se çdo pacient që lufton një tumor është specifik dhe, për këtë arsye, duhet të kalojë në disa faza, të cilat më pas përcaktojnë edhe dietën ushqimore që do t’i shërbejë rikuperimit të organizmit të tij.

“Duhet të merremi jo vetëm me tumorin, por harrojmë organizmin që e ka krijuar këtë tumor dhe organizmin që e mban këtë tumor. Prandaj, në onkologjinë nutricionale, ushqyerja ndikon që nga aspekti psikologjik deri te forcimi i sistemit imunitar. Njerëzit kërkojnë gjëra të shkurtra. Në këndvështrimin nutricional, do t’ju këshilloja disa strategji”, u shpreh Joka.

Strategjitë që duhet të ndiqen

Faza e parë: Vlerësimi i gjendjes metabolike. Nëpërmjet analizave që mund të bëni, duhet të vlerësoni aftësinë e metabolizmit.

Faza e dytë: Stabilizimi. Duhet të ndaloni humbjen e peshës dhe të masës muskulore, të korrigjoni çdo mungesë që keni dhe të merrni nutrientët e nevojshëm.

Faza e tretë: Mbështetja. Duhet ecur mbi baza të personalizuara, me antioksidantë, nutrientë dhe një plan konkret, ku cilësia duhet të jetë mbi sasinë.

Faza e katërt: Rikuperimi. Kjo fazë përfshin rindërtimin e indeve, ekuilibrin e të gjithë trupit dhe ekuilibrin metabolik.

Faza e pestë: Cilësia e jetës. Kjo lidhet me lëvizjen, cilësinë e gjumit etj.

Nuk ka një dietë universale për pacientët që kanë kancer. Ka shumë mutacione të kancerit, si dhe reagimi i organizmit është i ndryshëm. Ushqyerja duhet të ndjekë gjendjen e pacientit. Ajo është një domosdoshmëri për njerëzit me tumor. Ka ushqime që mund të shkaktojnë alergji te disa njerëz, ndaj ushqyerja duhet të përshtatet në bazë të gradës dhe fazës në të cilën ndodhet sëmundja.

Katër fazat e ushqyerjes për të mbështetur metabolizmin dhe rikuperimin

Një person duhet të rrisë funksionin metabolik dhe aftësinë e rikuperimit. Për këtë, sipas Jokës, ka katër faza.

E para është ushqyerja strukturore, për të ruajtur muskujt dhe për të riparuar indet. Në këtë fazë duhen konsumuar proteina cilësore nga bulmeti, mishi dhe bishtajoret.

E dyta është ushqyerja energjetike, sidomos pas kimioterapisë. Duhet të eliminohen karbohidratet e këqija dhe të shtohen karbohidratet cilësore.

E treta është rritja e funksionit të enzimave dhe mbrojtja qelizore, nëpërmjet vitaminave, mineraleve, fibrave, perimeve, frutave, vajrave, arrorëve etj.

E katërta është ushqyerja e sistemit intestinal.

Ja çfarë duhet të largoni nga dieta ushqimore

Sheqeri

Nivelet e larta të sheqerit largojnë një pjesë të mineraleve dhe vitaminave. Ai është një acid dhe dëmton edhe rruazat e bardha, nuk stimulon qelizat vrasëse të tumorit, ndërsa rritja e sheqerit sforcon pankreasin, mëlçinë dhe veshkat.

Bulmeti

Ka disa teori naturopatike sipas të cilave është vënë re se niveli i lartë i konsumimit të bulmetit shkakton disa nga llojet e kancerit, por ka edhe studime që tregojnë se konsumimi i tij zvogëlon mundësinë e kancerit të zorrës. Megjithatë, duhet të dimë çfarë cilësie ka bulmeti që konsumojmë dhe cila është toleranca jonë ndaj tij.

Mishi

Disa thonë po, disa jo. Rritja e konsumimit të mishit të përpunuar është e dëmshme. Mishi nga fermat ka nivele të larta antibiotikësh. Në mish ka edhe komponentë kancerogjenë që vijnë nga skuqja dhe pjekja. Mishi ka edhe endotoksina.

"Një studim i Harvardit tregoi se këto sillnin probleme të mëdha. Gjithashtu, një studim i Harvardit tregoi se konsumimi i lartë i mishit në adoleshencë sillte një rrezikshmëri prej 22 për qind për kancer në moshë të rritur. Shoqata Amerikane e Diabetit zbuloi se njerëzit që konsumonin periodikisht mish kishin 20–25 për qind rrezik për kancerin e gjirit dhe rrezik për diabet. Në një tjetër studim me 470 mijë njerëz, për çdo 50 gramë pulë të konsumuar në ditë, rreziku për kancerin e pankreasit rritej me 72 për qind. Edhe një studim i vitit 2024 tregoi se ata që konsumonin ushqime me bazë bimore kishin rrezik më të ulët për t'u prekur nga kanceri i prostatës."

Sipas nutricionistit Joka, duhet një gërshetim dhe mishi nuk duhet eliminuar fare, sepse nevojiten proteinat. Megjithatë, duhet të dimë se çfarë cilësie ka mishi. Nëse kafshët rriten në kullota dhe ushqehen me bar të mirë, padiskutim që mishi është cilësor.

Roli i agjërimit

Joka u ndal edhe te roli i agjërimit. Ai shpjegoi se është një nga praktikat mjekësore më të mira.

Autofagjia luan një rol bazë në rregullimin qelizor dhe fiziologjik. Ajo është zbuluese e sëmundjeve dhe e riparimit të tyre, krijon homeostazën qelizore dhe e çon trupin nga një skllavëri ndaj ushqimit në një proces dinamik qelizor.

“Unë e filloj me rigjenerimin, pra duhet të marr vitamina, minerale dhe antioksidantë dhe, pasi kalohen disa etapa, më pas fillohet me një gërshetim me agjërimin”, shpjegoi Joka.

Vuani nga sëmundje tumorale? Ja disa këshilla në lidhje me ushqyerjen

Kur keni të përziera dhe shije metalike në gojë: Konsumoni arrë moskat, xhenxhefil si çaj, si dhe supa të holla me perime, pak vaj ulliri dhe kos, jo me shumë yndyrna. Mund të konsumoni edhe një smoothie të kombinuar me gjalpë bajamesh ose vaj ulliri dhe perime, i cili duhet të jetë i lehtë.

Kur keni shqetësime në gojë, si tharje: Duhen konsumuar ushqime të buta, si për shembull pure patatesh dhe tërshërë në formë qulli. Duhet të shmangen ushqimet e nxehta dhe pikante.

Duhet të konsumoni vaj peshku dhe produkte që kanë sulforafan, kuercetinë dhe likopen. Në dietën tuaj duhet të përdoren kërpudhat medicinale, ushqimet me bazë bimore, shegët dhe çajra si ai i shtogut, i sherebelës dhe çaji jeshil.

Masa muskulore dhe pesha janë të rëndësishme, sepse fillojnë të bien, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm për t'i ruajtur. Rrisni proteinat cilësore; mund të merren edhe suplemente. Rrisni konsumimin e lëngut të mishit. Tumori sulmon trupin dhe sjell humbje të masës muskulore, gjë që sjell edhe intolerancë ndaj ushqimeve që jep spitali. Duhen konsumuar edhe jeshillëqet, pra proteina me origjinë bimore.