PRISHTINË, 8 Prill/ATSH/.- "365 ditë për romët, jo vetëm sot!", ishte një nga sloganet, me të cilat u protestua sot në Ditën Botërore të Romëve, para ndërtesës së qeverisë së Kosovës.
Ky komunitet ballafaqohet me shumë sfida, ndër të cilat është edhe papunësia e madhe, për të cilën thuhet se arrin në 98% të papunë, ndër të cilët edhe shumë kryefamiljarë.
Bashkim Ibishi nga KAAD (Agjencia Kosovare për Avokim dhe Zhvillim), pjesëmarrës në tubim, kërkoi nga institucionet e vendit, veçanërisht nga qeveria e Kosovës, që të mos i lënë anash romët.
"Qëllimi i këtij manifestimi është për të sensibilizuar publikun e gjerë rreth sfidave me të cilat ballafaqohet ky komunitet sot në Kosovë dhe për të kërkuar mbështetje publike nga të gjithë aktorët fizikë dhe juridikë të mundshëm", theksoi Ibshi.
Synimi i dytë i këtij tubimi, shtoi ai, është që qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera përkatëse të marrin hapa proaktivë dhe konkretë për integrimin e plotë të romëve në shoqërinë kosovare. "Si për synim të tretë të këtij manifestimi në atë se çka planifikojmë dhe besojmë të arrijmë rezultate se bashku me gjithë shoqërinë kosovare është që të tentojmë që të aktivizojmë vetë komunitetin rom për të kërkuar dhe lobuar për të drejtat e tyre", tha ai.
Gjatë këtij tubimi u bë e ditur që komuniteti rom është i pakënaqur me implementimin e kornizës ligjore dhe politikave, të cilat ishin dashur të përmirësojnë jetën e tyre. Ndër sfidat më të mëdha është papunësia e këtij komuniteti, e cila është më tepër se 98% .
Edhe qytetarët tjerë të Kosovës mendojnë që këto pakica po neglizhohen nga ana e institucioneve të vendit dhe se qeveria duhet të bëjë më shumë për minoritetet.
Sot, 6 vite pas aprovimit të politikës për integrim të komuniteteve, ata thanë se situata vazhdon të jetë e ngjashme ose edhe më e keqe.
Përvec përfaqësuesve të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas, kësaj proteste iu bashkuan edhe qytetarë nga komuniteti shqiptar./KosovaPress/k.s/