Seanca e sotme e Kuvendit te Kosoves  Foto: Behlul Jashari ATSH
PRISHTINË, 19 Janar /ATSH-B.Jashari/.- Sot në orën 17:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës, me kërkesë të kryeministrit, do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, në të cilën do të shqyrtohet për herë të parë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre.
Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në një mbledhje të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit.
Kryeparlamentari Veseli i njoftoi nënkryetarët e Kuvendit dhe kryetarët e grupeve parlamentare me bazën kushtetuese dhe rregullative të kësaj kërkese.
Seanca e jashtëzakonshme në seancën e paradites së Kuvendit ishte paralajmëruar për në orën 14:00.
Shqyrtimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet publike, me kërkesë të qeverisë së Kosovës, është hequr nga rendi i ditës së mbledhjes së sotme të Kuvendit, të cilën e kryesoi, kryeparlamentari, Kadri Veseli. Kreu i Kuvendit, Veseli, fillimisht njoftoi se shqyrtimi i këtij projektligji është bërë me procedurë të përshpejtuar, duke iu shmangur edhe Rregullores së punës së Kuvendit. Mirëpo, njoftoi në vijim Veseli, Qeveria ka marrë vendim që këtë projektligj ta tërheq nga shqyrtimi gjatë mbledhjes së sotme.
Për vendimin e qeverisë foli kryeministri Isa Mustafa. Ai tha se lidhur me këtë projektligj jemi ballafaquar me probleme shumë specifike, ndërsa përkushtimi i qeverisë mbetet që të krijohen kushte për riorganizimin e ndërmarrjes "Trepça". Qeveria, tha më tej ai, është e angazhuar që të parandalojë procedurën e falimentimit të ndërmarrjes. "Janë shumë elemente të projektligjit, që duhet shqyrtuar, andaj propozoj që ky projektligj të shqyrtohet sot pasdite në një mbledhje të jashtëzakonshme", tha Mustafa.
Pas kësaj, kryeparlamentari Veseli, i ftoi anëtarët e Kryesisë së Kuvendit dhe shefat e grupeve parlamentare në një mbledhje, në të cilën do të shqyrtohej kërkesa e qeverisë për seancë të jashtëzakonshme./k.s/