Dogana e Kosovës në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, ka zbuluar rreth dy kilogramë kokainë në Pikëkalimin Kufitar Merdare.

Sipas njoftimit të Policisë, kontrolli është realizuar sot, më 2 shkurt 2026, ndaj një automjeti të dyshuar në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës.

Gjatë kontrollit të detajuar, zyrtarët kanë zbuluar një sasi të konsiderueshme substance narkotike, për të cilën dyshohet se është kokainë, e fshehur në mënyrë të sofistikuar brenda automjetit.

“Për realizimin e kontrollit të thelluar është përdorur edhe skaneri X-ray, donacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili ka mundësuar lokalizimin e saktë të vendit ku ishte fshehur lënda narkotike dhe ka lehtësuar ndjeshëm punën e zyrtarëve doganorë dhe policorë. Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente, ndërsa ndaj personave të përfshirë do të ndërmerren veprimet e mëtejme ligjore, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim./Kosovapress