/ATSH-B.Jashari/.- Nuk është arritur asnjë marrëveshje përfundimtare në bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel, të nisura dje në mëngjes, e të përfunduara sot pas mesnate.
"Pas 16 orësh punë ne i finalizuam dy tekste të dy marrëveshjeve - në parimet e krijimit të Asociacionit/Komunitetit me shumicë serbe në komunat e Kosovës dhe për zbatimin e marrëveshjeve në fushën e telekomit. Marrëveshja finale politike muk ka mundur të arrihet. Tani ne do të reflektojmë në hapat e ardhshëm", theksohet në deklaratën e Mogherinit të pas orës 02:30 të ditës së sotme.
Kosova dhe Serbia, me delegacionet e udhëhequra nga kryeministrat Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç kanë zhvilluar dialogun për të njëjtat tema si në 23 qershor edhe dje e sot në Bruksel, në raundin e dytë kryeministror brenda një jave, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.
"Kemi vazhduar deri më tani me diskutime", tha kryeministri Mustafa në Bruksel në orët e hershme të ditës së sotme, duke u shprehur edhe se "ka qenë një ditë e rëndë, ditë shumë e ngjeshur"
Ai ka theksuar se Kosova nuk pranon që asociacioni i komunave me shumicë serbe të ketë kompetenca ekzekutive, e edhe kryeministri serb Vuçiç ka thënë se delegacioni i Prishtinës nuk ka dashur të pranojë këto kompetenca.
"Bashkësia e komunave serbe" në Kosovë, renditej e para nga "katër temat" e raundit të 26-të të dialogut në nivel të lartë kryeministror Prishtinë-Beograd, për të cilat u bisedua edhe në dy ditët e fundit. Media në Serbi ka renditur të dytën "energjetikën", të tretën "telekomunikacionin" dhe të katërtën "Parkun e paqes" siç e quajnë barrikadën në urën kryesore mbi lumin Ibër të qytetit të Mitrovicës, që ndanë veriun me shumicë serbe nga jugu me shumicë shqiptare.
Bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel të raundit të 27-të në nivel të lartë jënë ndërprerë pasditen e djeshme për arsye të detyrimeve të ndërmjetësueses, përfaqësueses së lartë të BE-së, Frederica Mogherini, ndërsa vazhduan në mbrëmje.
Kryeministri Mustafa ka folur për mediat edhe pas ndërprerjes së takimit dje pasdite. "Po punojmë në të katër fushat në përpjekje për arritjen e marrëveshjeve dhe nënshkrimin e tyre. E kam ndërruar biletën, nuk do të udhëtoj sonte në Berlin, por nesër në mëngjes", ka thënë Mustafa.
Pjesëmarrës të takimit kanë bërë me dije se si pasojë e temave të ndjeshme që janë duke u diskutuar, takimi mund të vazhdojë deri në orët e hershme të mëngjesit.
Nga ana e delegacionit serb, sipas raportimit të medias në Beograd, drejtori i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriç ka thënë se dialogu po zhvillohet në atmosferë shumë të rëndë dhe ka përshtypjen se delegacioni i Prishtinës nuk don dakordim.
Shefja e diplomacisë evropiane, Mogherini, fillimisht takoi veçantë delegacionin kosovar, e pastaj delegacionin serb, para takimit të përbashkët trilateral.
Pas takimit me Mogherini, nga kryeministri kosovar Mustafa nuk ka pasë ndonjë deklaratë, ndërsa sipas medias së Beogradit, kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se "pret ditë të gjatë dhe të rëndë në Bruksel".
Në Bruksel , kryeministrat Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, zhvilluan edhe takimin e katërt, ndërsa nga 27 raundet deri tash të dialogut Prishtinë-Beograd në nivel të lartë, 23 ishin mes kryeministrave të atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç. Takimi i parë kryeministror në Bruksel është zhvilluar në 19 tetor 2012, ndërsa i 26-ti në 23 qershor 2015. Bisedimet në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik Kosovë-Serbi, të filluar në 8 mars 2011, po ashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre.