Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit është për herë të tretë në rendin e ditës të legjislaturës së pestë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit në Kosovë. Tek "Kalendari i takimeve dhe i seancave" në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës paralajmërohet "seanca konstituive" për të enjten e 2 tetorit në orën 10:00.

Zgjedhja e kandidatit të koalicionit paszgjedhor LDK-AAK-Nisma, Isa Mustafës, për Kryetar të Kuvendit, pas ndërprerjes së seancës konstituive nga kryesuesja, në 17 korrik, me 65 vota pro dhe 18 abstenime, është anuluar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Në 18 shtator, në vazhdimin pakminutësh të seancës konstituive, kandidati i koalicionit parazgjedhor të LDK, Arsim Bajrami mori 44 vota  pro, të pamjafueshme për t'u zgjedhur Kryetar i Kuvendit të Kosovës 120 anëtarësh.

Vazhdimi tjetër i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të enjten e javës së ardhshme, afër katër muaj pas zgjedhjeve, nuk pritet të ketë ndonjë zhvillim tjetër nëse nuk do të ketë ndonjë lëvizje apo marrëveshje, që mund të hapë rrugë pë krijimin e institucioeneve të Kosovës.

Në deklaratat nga koalicioni parazgjedhor theksohet se,"në mënyrë shumë të qartë vendimi i Gjykatës Kushtetuese thotë se të drejtën për ta propozuar Kryetarin e Kuvendit e ka vetëm partia fituese e zgjedhjeve", ndërsa koalicioni paszgjedhor thekson qëndrimin  "për të vijuar projektin e shumicës parlamentare, me qëllim që institucionet e reja të krijohen sa më parë". Para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, priten takime të Presidentes së Republikës, pas kthimit nga SHBA, me subjektet politike parlamentare. /ATSH/