Vettingu i KPA-së riktheu sot në detyrë prokurorin e Prokurorisë së Tiranës, Genci Qana, i cili ishte shkarkuar tre vite më parë me një vendim që shkaktoi polemika, edhe për shkak të reagimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, që e cilësoi si “plotësisht i paarsyeshëm”.

Magjistrati u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 31 mars 2021, pas një seance dëgjimore në të cilën prokurori u shpreh me superlativa për procesin e vetingut me besimin se do të konfirmohej.

Kurse sot, më 1 Tetor, KPA shpalli se:

"Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Rezarta Schuetz relatore, Albana Shtylla, Ina Rama, Natasha Mulaj, anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 50/2021, datë 1 Shtator 2021, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Genci Qana kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 362, datë 31.03.2021", thuhet në njoftimin zyrtar ditën e sotme (1 Tetor).

Në vendimin e shkurtër dhe të formës së prerë theksohet se:

“Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: – Ndryshimin e  vendimit nr. 362, datë 31.03.2021 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit Genci Qana”.

Vendimi i shkarkimit të Qanës u kritikua përmes njërit nga mendimet e pakëta kundër të këtij lloji, nga vëzhguesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i cili i konsideroi argumentet e KPK-së si “plotësisht të paarsyeshme” dhe se “korruptonin qëllimin e ligjit”.

Sipas vëzhguesit ndërkombëtar Steven Kessler, që ndoqi çështjen në atë kohë dhe i raportuar nga Shqiptarja.com, vendimi shkarkimit nga KPK u mor mbi gjetje “jashtëzakonisht të parëndësishme” dhe se ishte “jopropocional”. Madje në një konstatim të tyre, thuhet ndër të tjera se "as një shitëse buke nuk shkarkohet për një lapsus".