Komisioni i Posaçëm i Apelimit ka marrë vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtarin të Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj. Ai ishte konfirmuar më herët në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vendim i cili u ankimua nga komisioneri publik.

Tashmë, Gjykata e Lartë ka mbetur vetëm me 2 anëtarë, Xhezair Zaganjori që është i ankimuar nga Komisioneri Publik dhe Ardian Dvorani, gjithashtu kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Gjykata e Lartë, shkalla më e lartë e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë del kështu jashtë funksionit duke iu bashkuar Gjykatës Kushtetuese.

Drejtuesi i seancës deklaroi se Kolegji kishte arritur në përfundimin se gjyqtari Islamaj nuk ka arritur të provojë ligjshmërinë e burimeve financiare për 3 pasuri të paluajtshme në pronësi të bashkëshortes së tij. Këto pasuri përbëheshin nga një apartament, një njësi tregtare 55 m2 dhe një garazh.

Gjithashtu sipas kolegjit subjekti ka pamjaftueshmëri burimesh për likuiditet cash të deklaruara në vitin 2012 dhe 2016, si dhe ka bërë deklarim të paplotë dhe të pasaktë.

Në tërësi për kriterin e pasurisë Kolegji u shpreh se subjekti rivlerësimit kishte bërë deklarim të paplotë, të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë së tij.

Në relacionin që Komisioneri Publik i dërgoi KPA-së më 12 korrik kur bëri ankimimin për Islamajn, thuhej se verifikimet për gjyqtarin Islamaj nuk ishin të plota. Në listën e verifikimeve të paplota komisioneri publik përmendte transferta parash brenda e jashtë vendit si dhe dyshimet për një apartament e një dyqan në Vlorë, të cilat nuk janë hetuar plotësisht nëse lidhen apo jo me gjyqtarin Islamaj dhe bashkjetuesen e tij S.T.

Në seancën e zhvilluar tek KPK-ja më 7 qershor, ku u dha dhe vendimi për të, vetë gjyqtari Islamaj tha se pasurinë e kishte trashëguar nga gjyshërit e tij.

Të shkarkuar nga Gjykata e Lartë janë:

1. Admir Thanza
2. Artan Broci
3. Artan Zeneli
4. Tom Ndreca
5. Shkelzen Selimi
6. Edmond Islamaj

Ndërkohë anëtari tjetër, Medi Bici, i konfirmuar nga vettingu , u largua pasi u votua si anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor.