KPK e shkarkoi prokuroren Rajmonda Berisha për mungesë burimesh e cënim të besimit

KPK e shkarkoi prokuroren Rajmonda Berisha për mungesë burimesh e cënim të besimit

Rajmonda Berisha Kopaçi

Prokurorja e Elbasanit, Rajmonda Berisha Kopaçi u shkarkua nga detyra më 3 korrik, për probleme të konstatuara për pasurinë, kriterin e vetëm për të cilin u përmbyll procesi i vetingut për këtë subjekt rivlerësimi.

Në vendimin e arsyetuar të KPK, renditen një sërë barrash prove që i janë kaluar subjektit për mungesën e burimeve të pasurive dhe transaksionet e kryera, për të cilat është konkluduar se ajo ka dështuar të provojë të kundërtën.

Si burime financiare për blerjen e një apartamenti banimi me sipërfaqe 81 m2 në Elbasan në vitin 1996 kundrejt çmimit 1.8 milionë lekë, subjekti ka deklaruar të ardhurat nga shitja e një apartamenti tjetër për shumën 800 mijë lekë, si dhe një kredi 500 mijë lekë. Në pyetësorin standard ka deklaruar edhe kursime nga paga dhe e bashkëshortit në shumën 500 mijë lekë.

Mosdeklarimi i gjendjes cash në vitin 2003 si burim për apartamentin, konsiderohet nga Komisioni si një pasaktësi jodomethënëse.

“Deklarimi në deklaratën Vetting të burimit të saktë mbetet një element i rëndësishëm në raport me kontrollin e burimit të kësaj pasurie”, vijon arsyetimin Komisioni.

Ndërkohë, nga hetimi paraprak është konstatuar bilanc negativ në shumën 155 mijë lekë për krijimin e kursimeve. Sipas KPK, edhe nëse do të konsideroheshin pretendimet e subjektit për konsiderimin e pagave për periudhën 1987-1994, sërish do të mbetej një bilanc negativ në masën 92 mijë lekë.

Në përfundim, Komisioni vlerëson se Berisha nuk arriti të provojë se burimet për krijimin e kësaj pasurie kanë qenë të krijuara në mënyrë të ligjshme.

Për blerjen e një apartamenti tjetër me sipërfaqe 82 m2 në Vlorë në vitin 2007, subjekti ka deklaruar si burime një kredi në shumën 48 mijë euro. Për shlyerjen e kredisë, Berisha ka deklaruar se kanë shfrytëzuar depozitat në vlerën rreth 33 mijë euro dhe mbi 11 mijë euro të tjera të mbajtura cash në shtëpi. Për krijimin e cash-it ka deklaruar si burim pagat e saj e të bashkëshortit.

Subjekti i ka bashkëlidhur deklaratës veting dokumente provuese, ku mes të tjerash dhe një kontratë kapari të vitit 2007, ku shënohet se shitësi premton t’u shesë subjektit dhe bashkëshortit të saj një apartament për vlerën 64 mijë euro. Palët kanë deklaruar se në datën e nënshkrimit të kontratës është paguar kësti 16 mijë euro dhe se deri në shkurt të 2008-ës do të likuidohej dhe shuma 48 mijë euro.

Referuar kontratës së kaparit 2007, Komisioni konstaton se deri në fund të muajit dhjetor 2007, për çmimin total të apartamentit 64 mijë euro, është shlyer shuma 63 mijë e 644 euro.

Bazuar në këto të dhëna, KPK konstaton mospërputhje të vlerës 48 mijë euro të deklaruar nga subjekti në deklaratën veting dhe në ILDKPKI, me shumën 64 mijë euro të dokumentuar në kontratën e kaparit dhe në dokumentet bankare për dhënien e kredisë. Po ashtu, Berisha rezulton të mos ketë deklaruar burimin e shumës 16 mijë euro të shlyer sipas kontratës së kaparit.

Subjekti ka shpjeguar se pavarësisht parashikimeve në kontratën e kaparit, i gjithë çmimi i apartamentit është paguar në datën e lëvrimit të kredisë në vlerën 48 mijë euro. Sipas saj, shuma 16 mijë euro nuk është paguar ndonjëherë dhe këtë fakt e provon deklarata noteriale e shitësit e vitit 2021.

Në përfundim të hetimit KPK çmon se është e provuar se vlera e paguar për apartamentin është 64 mijë euro, pasi subjekti nuk ka sjellë ndonjë provë për të vërtetuar të kundërtën.

Ndërkohë, KPK vlerëson se subjekti nuk ka pasur mundësi për çeljen e depozitave dhe krijimin e kursimeve cash, të deklaruara se kanë shërbyer për shlyerjen e parakohshme të kredisë së marrë për apartamentin. Sipas Komisionit, Berisha ka deklaruar se për krijimin e depozitave ka deklaruar si burim financiar dietat e bashkëshortit, por ato nuk janë pranuar pasi janë konsideruar se kanë destinacion mbulimin e shpenzimeve të kryera gjatë udhëtimeve të punës, e për rrjedhojë nuk mund të kenë shërbyer për krijimin e kursimeve.

Berisha ka deklaruar përfitimet nga puna e bashkëshortit në formën e dietave dhe bakshisheve si burim edhe për një gjendje cash në vlerën 1.3 milionë lekë. Të ardhurat nga dietat dhe bakshishet e bashkëshortit dhe në këtë rast nuk janë konsideruar në analizën financiare.

Për blerjen e një automjeti të llojit Mercedes-Benz CDI, në vitin 2009 kundrejt shumës 1 milion e 450 mijë lekë, subjekti ka deklaruar të ardhurat nga shitja një makine tjetër gjashtë muaj më vonë për shumën 900 mijë lekë, si dhe kursimet e përbashkëta nga pagat.

Komisioni nuk ka përfshirë në analizë të ardhurat nga dietat e bashkëshortit të subjektit. Po ashtu, ka konstatuar se të ardhurat nga shitja e mjetit nuk mund të shërbenin, pasi ai transaksion ishte kryer disa muaj më vonë.

“Në lidhje me kundërshtimet e subjektit ndaj konstatimit se subjekti ka bërë deklarim të rremë për të ardhurat nga shitja e automjetit me targë *** në datën 15.10.2009 si burim i krijimit të pasurisë automjet me targë ***, pasi ky burim nuk ka ekzistuar në momentin e krijimit të kësaj pasurie datë 29.4.2009, Komisioni vlerëson se shpjegimet e dhëna nga subjekti nuk janë bindëse, pasi të ardhurat e krijuara nga shitja e automjetit me targë *** në datën 15.10.2009, logjikisht nuk mund të shërbejnë për të krijuar pasurinë automjet me targë *** në datën 29.4.2009, pra 6 muaj më parë”, citohet në vendim.

Prapësimi i subjektit se gjendja e kursimeve të deklaruara në fund të çdo viti provon se ka disponuar të ardhura të mjaftueshme për blerjen e automjetit, edhe pa përfshirë vlerën e shitjes së automjetit tjetër, vlerësohet nga Komisioni se jo vetëm vë në dyshim për të disatën herë vërtetësinë e çdo deklarimi e shpjegimi që ajo ka bërë në lidhje me burimet e krijimit të kësaj pasurie, por tregon dhe pasigurinë që ka për provueshmërinë bindëse të burimit.

Po ashtu, ka rezultuar se mjeti i shitur nga subjekti në vitin 2009, ishte blerë shtatë vjet më parë për gjysmën e shumës së përfituar. Pamundësia për të provuar pretendimet për rritjen e vlerës së mjetit nga investimet e kryera, kanë ngritur dyshime tek Komisioni se çmimi i vendosur në kontratën e shitjes është fiktiv dhe është bërë me qëllim për të justifikuar burimet financiare të makinës tjetër.

Gjatë prapësimeve të konstatimeve të KPK, Berisha ka dhënë të tjera burime për blerjen e automjetit, por pa përmendur të ardhurat nga shitja e makinës së mëparshme.

Ndërkohë, trupa e Komisionit ka përfshirë në analizë të ardhurat nga paga e bashkëshortit deri në datën e blerjes së automjetit, të cilat janë provuar me dokumentacion ligjor dhe për të cilat janë paguar detyrimet tatimore.

Situtatë e ngjashme është konstatuar dhe për blerjen e një automjeti të llojit “Citroen C3” në vitin 2012, për çmimin 13 mijë e 500 euro. Si burime krijimi të kësaj pasurie janë deklaruar të ardhurat nga shitja e një automjeti tjetër për çmimin 6000 euro dhe një kredi leasing.

KPK vlerëson se mosdeklarimi ndër vite i vlerës së shtuar të automjetit të shitur në vitin 2009, si dhe mos provimi me dokumentacion i këtyre shpenzimeve të pretenduara, e bënë fiktiv çmimin e vendosur në kontratën e shitjes.

Komisioni i ka kaluar subjektit të rivlerësimit barrën e provës për të provuar të kundërtën e konstatimeve se, duket që ajo dhe bashkëshorti i saj kanë shfaqur tendencë të përsëritur për të deklaruar çmime fiktive në shitjet dhe blerjet e automjeteve, me qëllim për të justifikuar mungesën e burimeve të ligjshme për krijimin e pasurive.

Sipas KPK, me këto veprime, subjekti ka cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë, pasi çmimet e referuara në kontratat e shitjes, si dhe shpjegimet e saj nuk i krijojnë bindjen trupit gjykues për vlerën reale të transaksioneve. Megjithëse Berisha ka shpjeguar se kontratat e shitblerjes dhe deklarimet vjetore ku pasqyrohen këto transaksione janë prova të pakundërshtueshme, asnjë prej shpjegimeve nuk është gjetur bindës për të përmbysur barrën e provës.

Berisha është gjendur në pamundësi financiare dhe për blerjen e një automjeti të llojit Smart Coupe në vitin 2014, të regjistruar në emër të vajzës; si dhe për krijimin e një depozite në vitin 2003 po në emër të vajzës edhe shtesat në 2007-ën.

Sipas KPK, subjekti nuk ka deklaruar saktë burimin e një fondi investimi në shumën 460 mijë lekë, pasi nuk ka shërbyer një depozitë në të njëjtën vlerë e krijuar nga pagat, por likuiditetet e mbartura dhe deklaruara më parë në shtëpi.

Nga analiza financiare e përgjithshme paraprake ka rezultuar një bilanc negativ në vlerën totale rreth 16.6 milionë lekë. Komisioni konstaton se edhe analiza financiare e depozituar nga subjekti në cilësinë e provës në prapësime rezulton me balancë negative prej -2.3 milionë lekësh, e shtrirë në disa vite, ndërkohë që konstatohet se balanca pozitive e pretenduar prej Berishës nuk qëndron.

Në vendim thuhet se, edhe sikur Komisioni të marrë në konsideratë dietat për efekt të analizës financiare, sërish subjekti dhe personat e lidhur nuk do të kishin të ardhura të ligjshme të mjaftueshme për të krijuar gjendjen cash dhe shtesa të tjera likuiditetesh, për të krijuar pasuri dhe për të mbuluar shpenzimet gjatë periudhës së punësimit të saj si prokurore, pasi balanca negative do të rezultonte në shumën 9,8 milionë lekë, që çmohet e konsiderueshme për masën e shkarkimit nga detyra.

“Vlera e pasurive dhe shpenzimeve të tjera të subjektit dhe personave të lidhur me të është në vlerë disa herë më të madhe sesa vlera e të ardhurave, prandaj nuk mund të zbatohet parimi i proporcionalitetit, qoftë edhe duke iu referuar rasteve të praktikës së Komisionit apo Kolegjit të përmendura nga subjekti në prapësime”, vlerëson Komisioni dhe arrin në përfundimin se prokurorja Rajmonda Berisha Kopaçi nuk arrin nivelin kualifikues, pasi ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë, se ka bërë deklarim të rremë në lidhje me burimin e krijimit dhe deklarim fiktiv të çmimit të blerjes dhe shitjes së pasurisë, duke cenuar me këto veprime besimin e publikut./BIRN

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Exit poll i CNN: 48% e votuesve preferojnë Harris, 44% Trump

Exit poll i CNN: 48% e votuesve preferojnë Harris, 44% Trump