KQZ: Altin Biba, kandidat i PD-së në Kurbin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk pranoi të hënën kërkesën për dorëheqje të kandidatit të opozitës Altin Biba për kryetar të bashkisë Kurbin, duke e lënë atë konkurent të koalicionit të djathtë në zgjedhjet e 21 qershorit. Me katër vota kundër dhe tre vota pro, KQZ refuzoi gjithashtu regjistrimin e kandidatit tjetër, Ilir Pjetraj, i propozuar nga aleanca e djathtë, pas dorëheqjes së Bibës.
Për rreth dy orë KQZ debatoi mbi aktin "Për ekzekutimin e vendimit të Kolegjit Zgjedhor" të datës 28 maj për çështjen e regjistrimit të kandidatit të propozuar nga koalicioni i djathtë, Ilir Pjetraj. Po ashtu, Kolegji në vendimin e tij i kërkonte KQZ-së shqyrtimin e ligjshmërisë së kërkesës së dorëheqjes së kandidatit Biba.
Anëtarët e Komisionit, pas debateve të gjata, dolën me dy përfundime. Komisionerët e propozuar nga opozita kërkuan që KQZ të regjistrojë kandidatin Pjetraj, ndërsa tre anëtarët e tjerë, të mbështetur dhe nga kryetarja Lefterije Luzi, argumentuan se dorëheqja e paraqitur nga kandidati Biba nuk ka bazë ligjore dhe ligjërisht është e pavlefshme. Sipas tyre, kodi zgjedhor ka vakum ligjor për raste të tilla, ndaj nuk mund të pranohet largimi i tij nga gara. Në këtë mënyrë edhe kandidati pasues Ilir Pjetraj nuk mund të regjistrohej si konkurent në zgjedhjet e 21 qershorit.
Gara zgjedhore në Bashkinë Kurbin është shoqëruar me debate, pas ankimit në KQZ të Partisë Socialiste, e cila kërkoi çregjistrimin e kandidatit të koalicionit të djathtë, Ilir Pjetraj, i regjistruar, sipas saj, jashtë afateve kohore. Pas shqyrtimit, KQZ e pranoi kërkesën e PS-së, por PD-ja e ankimoi vendimin në Kolegj Zgjedhor. Ky i fundit, më 28 maj, vendosi shfuqizimin e vendimit të KQZ-së, duke e detyruar institucionin zgjedhor që më parë të argumentojë ligjshmërinë e dorëheqjes së kandidatit Altin Biba. /atsh/
 

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Ilir Metaj: Turizmi 2024?...Karvani do të ecë përpara