KQZ kërkon kohë për mandatet
e Elvis Roshit, Selamit dhe Tahirit

KQZ kërkon kohë për mandatet<br />e Elvis Roshit, Selamit dhe Tahirit
Pas konstatimit të Prokurorisë së Përgjithshme se deputetët Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri, e kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi kanë fshehur të dhënat e tyre penale gjatë plotësimit të formularit të dekriminalizimit, ligji parashikon dy veprime paralele dhe të pavarura nga njëri-tjetrit.

Së pari, prokuroria do të regjistrojë, sikundërse edhe ka njoftuar, procedim penal për të tre zyrtarët me akuzën e falsifikimit të dokumenteve, pasi fshehja e të dhënave në formularin e pastërtisë penale, konsiderohet si një vepër e tillë.

Ky proces do të shqyrtohet nga gjykata përkatëse dhe është një proces i pavarur nga lidhja e zyrtarit me mandatin e kryebashkiakut apo deputetit. Por, vijimi apo ndërprerja e mandatit të tyre është procesi i dytë, krejtësisht i pavarur nga gjykata, që i cakton ekskluzivisht si vendim Komisionit Qendror të Zgjedhje.

Nëse KQZ vendos ndërprerjen ose mos ndërprerjen e mandatit të tyre, palët nuk kanë të drejtë ankimi në gjykatë apo në Kolegjin Zgjedhor. Në këto kushte, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të ndërtojë për herë të parë një praktikë procedurale dhe ligjore veprimi në zbatim të ligjit të dekriminalizimit, praktikë e cila do të përdoret si udhërrëfyes për raste të tjera të ngjashme në të ardhmen.

Në këto kushte, e gjetur përpara faktit të “herës së parë” dhe mungesës së modeleve të më hershme, KQZ po kërkon më shumë kohë për të krijuar një model veprimi korrekt dhe unifikues. Kryetari i KQZ-së, Denar Biba, i pyetur për këtë çështje, tha se kjo vendimmarrje nuk është e thjeshtë, pasi KQZ nuk po ndërton një praktikë për emrat përkatës që ju qëllon të jetë të parët në këtë gjykim, por për precedentin procedural. Pas marrjes së përgjigjes zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme, KQZ do të duhet të mblidhet për tu shprehur me vendim.

“Duke qenë se ky është rasti i parë i realizimit praktik të rregullimeve që ka parashikuar ligji i ashtuquajtur “për dekriminalizimin” dhe vendimmarrja e KQZ-së për këtë rast, dashur pa dashur do të përcaktojë precedentin, i cili do të ndiqet edhe me raste të tjera të mundshme, KQZ gjykon të analizojë me kujdesin maksimal çdo detaj ligjor edhe faktik që implikon çështja. Rast pas rasti. Kujtoj që vendimmarrja finale është atribut ekskluziv i KQZ-së, dhe pasojat e kësaj vendimmarrjeje janë të tilla që nuk mund të merren lehtë. Ndaj edhe përgjegjësia është shumë e lartë”,-tha Denar Biba.

Sektori i posaçëm i  “Verifikimit të Integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” në Prokurorinë e Përgjithshme, në bazë të kërkesave të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, ka kryer verifikim të thelluar, në bazë të të cilit ka konkluduar se janë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të detyrës tre funksionarët. Sipas Prokurorisë, Dashamir Tahiri, rezulton se nuk ka deklaruar në formularin e “Dekriminalizimit” të dhëna:

Në vitin 1995 është raportuar nga policia në Foggia për krime lidhur me falsifikimin e parave; Në vitin 2009 është dënuar nga Gjykata në Ravena (për të vuajtur 9 muaj burgim) për përdorim të një leje drejtimi shqiptare të falsifikuar. Subjekti është kontrolluar disa herë nga policia.

Shkëlqim Selami nuk ka deklaruar në formular të dhëna për një masë sigurimi “arrest me burg”, nxjerrë ndaj tij nga ana e gjykatës së Brindizit, si i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale që merrej me “Trafikim të qënieve njerëzore”.

Masa ndaj tij është dhënë në vitin 1994 dhe është ekzekutuar në vitin 2006. Në kuadër të kësaj mase, ai ka qëndruar një javë në paraburgim në Brindizi dhe më pas është lënë i lirë, në vijim të hetimit. Elvis Rroshin, me funksion kryetar i Bashkisë Kavajë, rezulton se nuk ka deklaruar në formularin “Për Dekriminalizimin”: Një dënim për veprën penale të “Përdhunimit” në grup, në vitin 1995 në Itali, Nuk ka deklaruar përdorimin e disa emrave në Zvicër;

Në prill 1993 ka hyrë në mënyrë të paligjshme në shtetin zviceran dhe ka kërkuar azil, 14 maj 1993, është ndaluar nga policia e Zyrihut për një rast droge dhe është dëbuar 4 muaj më vonë; Në korrik 1997 ka hyrë përsëri në mënyrë të paligjshme dhe ka kërkuar azil. Në gusht 1997 është dëbuar sërish.
 


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

'Demokracia lëngon', Bamir Topi në 'Repolitix': Bipolarizim! Pushteti i opozitës ekuivalent me fuqinë që ka kryeministri

'Demokracia lëngon', Bamir Topi në 'Repolitix': Bipolarizim! Pushteti i opozitës ekuivalent me fuqinë që ka kryeministri