Propozimi i dakordësuar mes partive politike për ligjin për financimin e partive thotë se:
“Ndalohet premtimi i privilegjeve apo përfitimeve personale që rrjedhin nga burime shtetërore ose publike në kundërshtim me ligjin për dhuruesit të ndonjë partie politike.”
Por sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, formulimi është i paqartë dhe duhet riparë.
“Vlerësojmë se ky parashikim është shumë i gjerë dhe teorik. Ndalimi i premtimit apo i përfitimeve është nocion abstrakt, jo konkret dhe i pamatshëm. Duhet të ndalohet dhënia e privilegjeve/përfitimeve dhe jo premtimi për to. Vlerësojmë se kjo dispozitë duhet rishikuar”, thotë KQZ.
Në aspektin e financimeve, institucioni kërkon rregulla më të forta për të shmangur anashkalimin e kufijve përmes formave indirekte. Sipas KQZ-së, kontributet në natyrë si shërbime apo materiale duhet të përfshihen qartë në kufijtë financiarë, për të mos lejuar financime të fshehura.
Në draft sanksionohet se edhe qytetarët e thjeshtë mund të gjobiten nëse donacionet për partinë e tyre nuk bëhen sipas ligjit, ndërsa KQZ kërkon rishikim të disa sanksioneve, duke argumentuar se përgjegjësia për shkeljet duhet të bjerë kryesisht mbi partitë politike dhe jo mbi individët dhurues.
KQZ ngre shqetësimin se projektligji parashikon auditime edhe për parti që nuk dorëzojnë raporte financiare, çka konsiderohet pa kuptim praktik.
Institucioni propozon që auditimi të bëhet vetëm për partitë që raportojnë, ndërsa për të tjerat të ketë masa konkrete si përjashtimi nga zgjedhjet.
Projektligji parashikon që shteti të mbështesë partitë politike me seli dhe zyra. Sipas KQZ-së, duhet përcaktuar qartë se kjo e drejtë u takon vetëm partive parlamentare ose atyre që kanë një mbështetje minimale në zgjedhje e cila shkon në 1%, ndërsa partitë që e humbasin këtë status duhet të dorëzojnë ambientet publike.
Njëkohësisht, Komisioni propozon që mbështetja të bëhet përmes një modeli të unifikuar kryesisht kompensim financiar për qiratë në vend të praktikës aktuale të kërkimit të godinave publike, e cila konsiderohet joefikase dhe burokratike.
Komente








