Në kulmin e krizës së Partisë Demokratike të degës së Fierit, sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka dhe drejtuesi politik i qarkut, Gazment Bardhi kanë zbritur në Fier.

Takimi me dyer të mbyllura dhe pa praninë e mediave ka pasur në fokus prezantimin e grupit të punës prej 43 anëtarësh për vitalizimin dhe strukturimin e degës ndërkohë që një vëmendje e veçantë i është kushtuar protestës së opozitës në 8 maj në kryeqytet.

Së fundmi, kryetari i degës së PD Fier, Rrapi Gjika, u largua duke shprehur zhgënjimin për emrat e përzgjedhur për të drejtuar grupin e punës për proceset zgjedhore dhe organizative në këtë degë.

Në një reagim, Gjika tha se në krye të këtij grupi është emëruar Ardian Ferro, i cili, sipas tij, ka qenë kundër Rithemelimit dhe ka bërtitur nëpër rrugë “poshtë non grata”. Ai theksonte se për emërimin e Ferros nuk është pyetur asnjë anëtar i degës së PD Fier, ndërsa vijonte se në drejtimin e degës po vendosen persona që kanë qenë kundër rithemelimit dhe kundër Sali Berishës, “që shqyen derën e PD-së, na morën zyrat, na shanin çdo ditë duke na thënë se jeni të gjithë ‘non grata’”.