Krajka: Si i shpëtova dënimit
për këngën “Kafe flora burra plot”

Krajka: Si i shpëtova dënimit <br />për këngën “Kafe flora burra plot”
Pareshtur është folur për festivalin e 11-të të këngës në RTSH, zhvilluar në vitin 1972. Ndonjëherë edhe është ekzagjeruar me personazhe që nuk janë vërtetë protagonistë në këtë histori. Kompozitori Agim Krajka e rrëfen historinë e festivalit të 11-të të parë me sytë e asaj kohe. Ai flet sinqerisht, me zemër të hapur, duke na zbuluar sekretin e suksesit, që siç duket nuk vinte aq nga tendencat moderne, sa nga profesionalizmi i kompozitorëve të talentuar dhe të shkolluar jashtë Shqipërisë dhe vjeljes së melosit kombëtar.

Krajka ka shumë për të thënë, jo vetëm për festivalin e 11-të, por për të gjitha ato festivale që erdhën deri në vitin 1991. Krajka tregon bashkëpunimin me këngëtaren e madhe Vaçe Zela. Madje mësojmë se ajo ishte e para që zbuloi talentin e kompozitorit të shquar Agim Krajka. Kënga “Lemza” është kënga e parë e suksesshme që e pagëzoi Krajkën si kompozitor i talentuar. Tregon se e kanë bërë këngën bashkë me Vaçen. Për nder të saj, Agim Krajka, pas 10 viteve emigracion në Amerikë, ka hapur një bar-kafe të vogël, elegant, në Rrugën e Barrikadave, që e quan “Lemza”. Në murin e atij bari janë edhe disa nga fotot më të bukura të festivaleve, ku nuk mungon edhe portreti i Vaçe Zelës.

Zoti Krajka, festivali i 11-të i këngës mbush 40-vjetorin. Çfarë të pathënash mund të tregoni me këtë rast?
Në qoftë se flasim për festivalin e 11-të duhet të bisedohet për të gjitha festivalet deri në vitet ‘90. Dihet që festivali i RTSH-së deri para viteve ‘90 kishte një portret krejt tjetër nga pseudo-festivalet sot. Në të vërtetë dihet se në atë kohë viheshin vetëm veprat artistike në skenë. Duke përjashtuar ato instrumentale që nuk kishin fjalë, tek veprat që duhet të kishin tekst, dihet që duhet kishte një lloj politizimi, por kjo nuk na e pakësonte përgjegjësinë për nivelin artistik. Ai sistem e politizoi fjalën, por në muzikë mund të na ndalonin ndonjë ritëm, aq sa merrnin vesh, por me edhe mund t’ua hidhnim. Muzikën e bënim moderne dhe mjaftonte të vinim një frazë si “u njohëm në aksion” dhe kalohej më lehtë. Synimi ynë si artistë ishte që muzika të pëlqehej dhe të këndohej nga të gjithë.


Si të lindi ideja për të kompozuar këngën “Lemza”?
Vaçe Zela më thotë: “Ti Agim i bie shumë bukur fizarmonikës” dhe pastaj më tha “ta provojmë njëherë këtë këngë”. Bëmë prova dhe ajo me atë timbrin e bukur të zërit e nxori në dritë dhe doli kënga shumë e bukur. Mirëpo në atë kohë “Lemza” ishte një temë që prekte marrëdhëniet e dashurisë shkollore, nuk ishte temë e madhe. Kur u këndua u pëlqye shumë. Por na e hoqën nja tre muaj këtë këngë nga transmetimi në RTSH, e ndaluan dhe për çudi e nxorën prapë. Aq shumë u pëlqye nga rinia kjo këngë sa në të gjitha muret e shkollës shkruhej me thëngjij me shkronja të mëdha “Lemza”. Duke parë suksesin e saj, në festivalin e dytë bëmë këngën “Djaloshi dhe shiu”. Natyrisht kjo ishte këngë dashurie, dhe aty më dhanë çmimin e dytë. Por edhe atë na e hoqën brenda natës. Më hoqën dhe nga puna. Pas disa sukseseve më thërresin që të shkoj në konservator. Por, unë kisha mbi shpatulla familjen, nënën dhe pesë motra, që i mbaja unë. U thashë: “më duhet punojë për familjen”. Çfarë nuk punoja në atë kohë. Ikja në pallat të pionierëve, natën këndoja në ndonjë bar lulishteje. Ikja në dasma, në gëzime...Shkova në konkurs dhe pashë atje gjigandët e muzikës, Çesk Zadenë, Tonin Harapin, Tish Dainë, që kishin mbaruar shkollën në Bashkimin Sovjetik në “Konservatorin Çajkovski”. U emocionova dhe u thashë: unë e di se ç’kërkoni ju, por me pianon unë nuk di t’i bëjë ca gjëra. Më tha Tonini: “-Fizarmonikën e ke marrë”. “-E kam marrë.- thashë. “-Epo bjeri!” - më thotë ai. Më vunë në provë me “Berberin e Seviljes” dhe unë dija t’i bija tamam. “-Ik tani, ik”, më thanë dhe kështu nisa të studioj për kompozitorë. Unë zotëroja mirë një instrument, fizarmonikën, që sot për fat të keq e kanë hequr, që është melodik, ritmik, harmonik, dhe ajo më ndihmoi në fushën e shumë instrumenteve.


Po familjen tuaj kush e mbante me të ardhura gjatë studimeve të tua?
Në të njëjtën kohë kur unë u thashë atyre të RTV-së “që unë s’mund të vazhdojë shkollën se kam familjen në përgjegjësi”, më thanë: “Agim, ditën do të bësh konservatorin, pasdite do të punosh në Ansambël”. Unë tani një dorë që shtrihet, nuk e godas. U jam mirënjohës se mbajta edhe familjen, bëra edhe konservatorin. Kështu që me këtë përgjegjësi unë pata një insistim që të bëja një gjë të bukur edhe për popullin tim. Duke e njohur shumë mirë kulturën e popullit tim, duke shkuar nëpër katunde të largët, në Kukës, në Skrapar, në Labëri, për shfaqje unë mësova artin e madh të këngës popullore. Vura si qëllim në vetvete të studioja melosin e popullit tim, jo se kisha gjë me muzikën e huaj, madje e pëlqeja, por unë nuk mund të jem as italian, as francez, nëse nuk jam më parë shqiptar. Nuk them të këndonim këngë popullore, por e kam fjalën për atë melosin e bukur që e bën, për shembull, një këngë italiane të dallohet nga një këngë greke apo spanjolle. Kjo përpjekje nisi në fakt te të gjithë kompozitorë, jo vetëm tek unë. Ata disa variante të melosit i sollën të përsosura edhe në instrumente popullore. Unë akoma kam nostalgji për ato lloj këngësh,sepse hyrja e këngëve në festival bëhej nga një kontroll dhe seleksionim ultra-profesional. Nëse të dilte kënga në festival, ajo ishte fitorja më e madhe dhe nuk kishte rëndësi çmimi, derisa pastaj erdhi puna që natyrisht që unë mora edhe shumë çmime, 16 çmime të dyta.

Publikut i ka ardhur keq që ju gjithmonë merrnit çmime të dyta dhe sidomos me disa nga këngët e Vaçe Zelës. Pse ndodhte kjo?
Eh ishte çështja e një platforme të orientuar. Simon Gjoni ishte shef i muzikës në radio. Ai ishte një muzikant i shkëlqyer, por vdiq në moshë të re. Më thoshte: Hajde,Gimo, se po bëhet platforma e festivalit. Sigurisht kishte një platformë të orientuar, që duam p.sh. “dy këngë për klasën punëtore”, “një për fshatarësinë, një për Partinë, etj” dhe “një këngë të mirë të muzikës së lehtë”. Dhe Simon Gjoni për këtë të fundit që ishte në krah të kësaj platforme thoshte: “Këtë ta bëjë Agim Krajka”. Pra, kishte edhe një orientim se ishin të pëlqyer këto këngë që bëja unë. Këngët e gjeneratës sonë mezi i prisnin të rinjtë, sepse kishte gjuhën e vetë të muzikës rinia e asaj kohe. Nuk ishte një rini e mbyllur. Ishte një rini që dëgjonte Çelentanon dhe nuk ishte lehtë t’i jepte pikë këngës sonë.

Edhe në festivalin e 11-të, të gjithë prisnin të merrje çmimin e parë...?

Unë fitova vërtet një çmim, por në festivalin e 11-të, edhe unë e kam paguar shtrenjtë. Me këngën “Kafe Flora burra plot” deshën të më jepnin çmimin e parë. Ju e dini se të nesërmen e festivalit u bë hataja pastaj. Arrestuam plot këngëtarë, muzikantët e drejtuesit u hoqën nga puna, etj. Thashë si shpëtova unë, se dhe unë me thanë të drejtën rrija gjithmonë në ankth. S’kishte burrni në atë kohë. Pas disa ditësh më vjen një djalë i ri aty në opera dhe më thotë: -Ju jeni Agim Krajka. -Po i them. “Në orën 12.00, ju pret kryetari i degës,- më tha. -Ju presim në Degën e Punëve të Brendshme”. Jo vetëm u frikova, por u emocionova dhe thashë “një dreq e di se çdo të bëhet me mua tani”. Mendova të pija një gotë fërnet që të merrja kurajë. Shkova në 12.00, pa 10. atje te kryetari i degës. Nuk dua t’ia zë emrin në gojë. Edhe nënkryetari ishte aty. Sa hyra brenda ai me një të bërtitur të tmerrshme më tha: “-Ku je more ti, që dhunon rininë, more! Ç’është kjo këngë more “Kafe flora burra plot”..çfarë janë more këto këngë! “-Jo more shoku kryetar, i thashë. Ajo është kënga e Pogonishtes. Ç’Pogonishte more. E dëgjove, i tha atij nënkryetarit ai rrinte s’bënte zë. Po ja nisa unë: “Naj, naj, Nanina, ne e bënë “Kafe Flora burra plot”, paru pau”. “-Ç’është ajo parupau? Ishte një kohë bosh dhe shfrytëzuam melosin, u thashë. Më tha: “Dëgjo këtu. I shef këto, -dhe më tregoi hekurat e duarve. “Do t’i kisha vënë hekurat në vend, por po t’i vë ty, më parë do t’ua vë kalamajve të mi që e këndojnë gjithë ditën këtë këngë dhe kalamajve të rrugës sime. Por, ik, ik se të kemi djalin tonë, të kemi dhënë edhe shkollën”. S’bëra zë fare unë, por shpëtova. Por, për dhjetë vjet isha në një izolim total...

(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë