Mesha solemne e Krishtlindjes në Katedralen “Shën Nënë Tereza” është udhëhequr nga ipeshkvi Dodë Gjergji. Ai ndër tjera tha se Kosova ka nevojë për stabilitet më të madh politik dhe të përshpejtojë rrugën drejt hyrjes në familjen evropiane dhe të ruajë vlerat e shoqërisë.
"E ndjej të nevojshme t’ju ftoj të jemi më të përgjegjshëm për të restauruar gjendjen në të cilin kemi jetuar në vitin që po lëmë pas, duke kryer obligimin qytetar, pasi do të kontribuojnë të gjithë që vendi të ketë stabilitet të qëndrueshëm politik, të përshpejtojë hapat drejt familjes evropiane dhe të arrijë të ruajë vlerat bazike të shoqërisë sonë”, tha ai.
Sipas tij frika e shkatërrimit që ekziston nëpër botë, ka ardhur për shkak të gjuhës së urrejtjes, interesave të të fortëve dhe mungesës së drejtësisë, të cilat kanë dëmtuar perspektivën e të rinjve për të ardhmen.
"Kjo ka plagosur rëndë ndërgjegjen politike të botës. Mbi të gjitha po shkatërron shpresat e brezave të ri dhe po i bën të paaftë ata që të jetojnë në paqe dhe dashuri. Nuk është e mirë as gjendja mes nesh e për këtë nuk mund ta fajësojmë askënd, por të ndihemi bashkëfajtorë për çdo situatë që nuk e kemi në nivelin e duhur", thotë ai.
Këtë të enjte meshat në Ditën e Krishtlindjes, ishin programuar në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, dhe në Kishën e “Shën Ndout” në “Ulpianë”, Prishtinë.
Komente










