Kremtohet Krishtlindja! Mesha në katedralen 'Shën Pali' e 'Ngjallja e Krishtit'! Imzot Dodaj: Të edukojmë të rinjtë! Kryepiskopi Anastas: Jo urrejtjes

Besimtarët e krishterë në Shqipëri dhe në mbarë botën kremtojnë lindjen e Krishtit, një nga festat më të rëndësishme në kalendarin fetar. Në Tiranë mesha e ‘Vigjiljes së Krishtit’ u mbajt në Katedralen e Shën Palit. Mesha nisi në orën 23:00 (24 dhjetor) dhe u ndoq nga mijëra besimtarë. Ndërsa besimtarët ortodoksë kremtuan meshën paraditen e sotme në katedralen "Ngjallja e Krishti".

Krishtlindja në katedralen e 'Shën Palit'
Në vigjilje të Krishtlindjeve, qindra besimtarë katolikë u bënë bashkë në katedralen e Shën Palit në Tiranë. Imzot Arjan Doda bëri thirrje që të rinjtë të mos e humbasin shpresën e të fokusohen tek gjërat me vlerë të vërtetë, tek të gjitha burimet e dashurisë, që gjendjen aq afër, brenda në familje.

Duke theksuar se ky vit Jubile është cilësuar si vit i shpresës, Dodaj tha se shoqëria duhet të përqëndrohet te edukimi i brezave të tij.

“Kemi nevojë t’i edukojmë brezat e ri tek shpresa sepse janë të shpërqëndruar nga gjërat e kota, nuk dinë të shohin gjërat e bukura.

Kush nuk ka shpresë nuk ka familje, nuk jeton në rrjet, nuk është online me dashurinë me fenë e Zotin”,-tha ai.

Në mesnatë, katolikët u lutëm për një vit më të mbarë.

Krishtlindja në katedralen "Ngjallja e Krishtit"
Ortodoksët ndoqën liturgjinë Hyjnore kremtuese që u zhvillua paraditen e kësaj të mërkure në Katedralen "Ngjallja e Krishtit".

Mesazhi i kryepeshkopit Anastas Janullatus, u lexua nga anëtarë të Sinodit të Hirshëm.

Në epokën tonë të ashpër dhe të veçantë, ku në shumë zona vërshojnë furishëm urrejtja dhe dhuna, ne të krishterët, që i qëndrojmë besnik atij që u shfaq në mish, Princit të paqes, le të bëjmë gjithnjë qëndresë, me tërë forcat tona shpirtërore dhe trupore, kudo dhe me aq sa mundemi.

Besimtarët ortodoksë ndanë mesazhe pozitive për shoqërinë, dhe kritike për udhëheqësit.

Jo vetëm në Tiranë, lindja e Jezu Krishtit u kremtua me atmosferë festive e mesha në të gjitha qytetet e vendit. Qytetarët uruan përmes Report Tv për më shumë shëndet , harmoni e mbarësi. 

"Gëzuar Krishtlindjet për të gjithë, vetëm paqe dhe harmoni. 

Gëzuar të gjithë shqiptarëve, sa më shumë mbarësi për të gjithë", thonë shqiptarët. 

Festimet e Krishtlindjes përkojnë edhe me vitin jubile. Krishtlindja konsiderohet si një nga festat më të bukura, ku përkujtohet lindja e Jezu Krishtit, birit të Perëndisë, i cilësuar si shpëtimtari i njerëzimit. Simbol i saj është pema e Krishtlindjes, ndërsa në këtë ditë nuk mungojnë as dhuratat dhe gatimet tradicionale.

Redaksia e Report Tv dhe Shqiptarja.com urojnë të gjithë besimtarët Gëzuar Krishtlindjen! 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:00
Krishtlindja/ Urime për paqe dhe dashuri nga Gjirokastra

 

Lindja e Krishtit u kremtua edhe në kishat e jugut të vendit.

Nga katedralja ortodokse "Ngjallja e Krishtit" në Gjirokastër ku besimtarët kanë pritur lindjen e Krishtit në meshën e udhëhequr nga mitropoliti i Gjirokastrës, hirësi Dhimitri, kanë ardhur urimet për më shumë paqe dashuri.

Pjesë e festimeve u bënë edhe emigrantët që kanë mbërritur për të festuar Krishtlindjet në vendlindje. Këtë vit ndryshe nga vitet e tjera, ceremonia ka qene me e vaket për shkak te numrit te vogël të njerëzve.

Ora 11:37
Besimtarët e krishterë në Berat festojnë Krishtlindjet: Dashuri, begati dhe harmoni në çdo familje

 

Ashtu si në të gjithë Shqipërinë, edhe në qytetin e Beratit, besimtarët ortodoks dhe katolikë kanë festuar Krishtlindjet. Qindra besimtarë ortodoks i janë drejtuar mëngjesin e sotëm Katedrales "Shën Dhimitri" në qendër të qytetit, për të marrë pjesë në meshën e shenjtë.

Liturgjia hyjnore me rastin e Krishtlindjeve filloi në orën 10:00 të mëngjesit dhe u drejtua nga Mitropoliti i Beratit Imzot Asti,At Joan Qako dhe  At Petraq Simsia.

Ata uruan të gjithë shqiptarët për një vit me më shumë begati, dashuri e harmoni në çdo familje, duke përcjellë tek të gjithë mesazhin që ta duam dhe ta respektojmë njëri-tjetrin pa kushte, ashtu siç zoti na ka mësuar.

Besimtarët ortodoksë beratas kanë uruar "Gëzuar Krishtlindjet" dhe kanë përcjellë për të gjitha familjet beratase mesazhin "për një vit sa më të begatë, me më shumë dashuri e respekt për njëri-tjetrin".

Pas përfundimit të meshës së shenjtë të Krishtlindjeve, besimtarët ndezën qirinj në flakët e pishtarit që simbolizon "lindjen e Krishtit". Sipas traditës së festës, besimtarët i marrin qirinjtë e ndezur në shtëpi, si një dritë shprese për një vit më të mbarë.

Ora 11:35
Krishtlindja në Kishën e Shën Gjergjit në Fier, mesazhi i Metropolitit Nikolla për dashuri dhe paqe

 

Kisha e Shën Gjergjit ka pritur sot qindra besimtarë, të cilët kanë ndjekur në mëngjesin e sotëm meshën e mbajtur për lindjen e Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë.

Hirësia e tij, Metropoliti i Fierit dhe Apollonisë, Imzot Nikolla, në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve dhe gjithë komunitetit, ka përcjellë urimin gëzuar Krishtlindjet, duke u dëshiruar më shumë mirësi dhe mbarësi në çdo familje të besimtarëve.

Qindra besimtarë, ndërkohë, kanë uruar "Gëzuar Krishtlindjet", duke e ndarë këtë gëzim me të gjithë komunitetin e besimeve të tjera. Krishtlindja është një ditë ku dashuria flet me gjuhën e saj të vërtetë dhe urrejtja sfidohet.

Lindja e Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë, simbolizon dashurinë e Zotit për njeriun, për të cilën Ai erdhi mes nesh. Dhe kjo dashuri kërkohet të mbretërojë kudo në tokë, në të gjithë njerëzimin.

Ora 11:00
Fushë-Arrëzi dhe Vau i Dejës kremtojnë Krishtlindjet me mesazhe shprese dhe paqe

Kisha Shën Jozefi në Fushë Arrëz u mbush si kurrë më parë në këtë vigjilje të lindjes së Krishtit. Teksa besimtarët u lutën për më shumë paqe dhe dashuri, famullitari Frat Andreas Valterman i ftoi ata që të shikonin Krishtlindjen si dritë shprese dhe jo thjesht si festë e dekoreve dhe dritave në qytete.

Qindra besimtarë pritën lindjen e Krishtit në dioqezën e Sapës. Në katedralen Nënë Tereza të Vaut të Dejës, Ipeshkvi Monsinjor Simon Kulli, teksa u lut për një botë më të mirë, ftoi besimtarët që të shikonin lindjen si shpresë për botën duke punuar për paqe dhe drejtësi.

Ora 10:53
Korça feston Krishtlindjet, mbahet mesha në Katedralen ‘Ngjallja e Krishtit’

Edhe këtë vit, qyteti i Korçës është mbushur me atmosferën magjike të Krishtlindjeve, një nga festat më të mëdha e më të pritura. Qytetarë vendas dhe vizitorë nga jashtë janë bërë bashkë për të festuar dhe për të kryer ritualet fetare në Katedralen “Ngjallja e Krishtit,” ku mesha e Krishtlindjeve u drejtua nga Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani. Mesazhet e përcjella për këtë ditë të veçantë theksojnë harmoninë, dashurinë dhe tolerancën midis njerëzve.

Pas përfundimit të meshës, qytetarët pritet të kthehen në shtëpitë e tyre për të vazhduar festimet në rrethin familjar. Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit është vënë re një rritje e ndjeshme e hyrjeve në doganën e Kapshticës, ku shumë bashkatdhetarë që jetojnë në Greqi kanë zgjedhur të festojnë Krishtlindjet në atdhe. Rekordi i hyrjeve është shënuar një ditë më parë, me 7,498 persona. Për të shmangur pritjet e gjata, autoritetet doganore kanë punuar me kapacitet të plotë, duke hapur të gjitha sportelet.

Korça, përveç programit festiv dhe reshjeve të borës që zbardhën qytetin mbrëmjen e djeshme, ka tërhequr një numër të lartë vizitorësh. Ambientet akomoduese janë të rezervuara plotësisht, duke reflektuar fluksin e turistëve. Mbrëmjen e Krishtlindjeve, qyteti ofroi një program artistik të veçantë, ndërsa restorantet dhe hotelet u kujdesën të sjellin një atmosferë të ngrohtë dhe festive përmes muzikës live dhe mikpritjes së tyre.

Ora 10:43
Vlora Kremton Krishtlindjet, mesazhi i At Kostandinit për dashuri e paqe

 

Besimtarët ortodoksë të Vlorës kanë kremtuar me shumë devotshmëri dhe gëzim festën e Krishtlindjeve, një nga ngjarjet më të shenjta në kalendarin e kishës ortodokse. Në Kishën e Shën Theodhorit, besimtarët janë mbledhur për të marrë pjesë në liturgjinë e mbajtur nga prifti At Kostandini, i cili ka uruar të pranishmit për ditën e shenjtë të lindjes së Krishtit. Gjatë mesnatës, ai ka theksuar rëndësinë e kësaj feste për jetën shpirtërore të besimtarëve dhe ka apeluar për më shumë dashuri dhe solidaritet mes njerëzve në këtë periudhë të vitit.

Po ashtu, At Kostandini ka përcjellë urimet e tij për vitin e ri, duke iu lutur Perëndisë që të sjellë paqe, shëndet dhe prosperitet për çdo familje dhe për qytetin e Vlorës. Pjesëmarrësit kanë qenë të shumtë dhe kanë ndarë momente gëzimi dhe reflektimi, duke ruajtur traditat e lashta të Kishës Ortodokse, si dhe duke kremtuar së bashku me të afërmit e miqtë.

Kjo ditë e shenjtë, e cila simbolizon lindjen e Shpëtimtarit, është shoqëruar gjithashtu me urime dhe mesazhe dashurie dhe mirësie mes besimtarëve. Ata kanë shkëmbyer urime për një vit të mbarë dhe të bekuar, duke forcuar ndjenjat e bashkëpunimit dhe harmonisë në komunitetin e tyre. Festimet e Krishtlindjeve kanë shërbyer jo vetëm si një mundësi për të kremtuar lindjen e Krishtit, por edhe për të mbajtur gjallë traditat dhe vlerat shpirtërore që i kalojnë brezat.

Ora 10:43
Krishtlindja kremtohet edhe në Shkodër, qindra besimtarë morën pjesë në meshën e vigjiljes

Qindra besimtarë të krishterë morën pjesë në meshën e vigjiljes së Krishtlindjes, e cila u mbajt në Katedralen e Shkodrës. Mesha e Shenjtë u udhëhoq nga Arqipeshkvi Angelo Massafra, i cili këtë vit celebron Krishtlindjen e fundit në detyrën e tij si udhëheqës i komunitetit katolik në kete dioqezë….

Në mesazhin e tij përpara besimtarëve, Arqipeshkvi Massafra theksoi rëndësinë që Jezusi të shërbejë si model për çdo besimtar në botë, duke i ftuar të ndjekin shembullin e dashurisë dhe solidaritetit të Krishtit.

Ai gjithashtu u ndal te sfidat dhe problemet sociale që përballon vendi ynë, duke u bërë thirrje besimtarëve për më shumë angazhim në ndihmë të atyre që janë në nevojë.

Ora 10:38
Festa e Krishtlindjes në Lushnjë, mbahet mesha në Kishën e Shën Gjergjit

 

Besimtarët ortodoksë kanë marrë pjesë në meshën e shenjtë të krishtlindjeve në kishën ortodokse të Shën Gjergjit në Lushnje.

Mesha është mbajtur mëngjesin e sotëm nga at Josifi i cili ka përshëndetur besimtarët dhe mbarë shqiptarët për festën e krishtlindjeve

Besimtarët janë lutur dhe kanë uruar njeri tjetrin për paqe e begati.

Ora 10:27
Kremtohet Krishtlindja në Durrës, besimtarët e krishterë luten për paqe dhe mirësi

 

Në Durrës, besimtarët e krishterë u janë drejtuar objekteve të kultit për të marrë pjesë në shërbesat fetare të organizuara për Krishtlindje.

Në meshën kushtuar lindjes së Krishtit mbrëmjen e djeshme, merrnin pjesë besimtarë të të gjitha moshave, të cilët luten për të qenë sa më pranë Zotit të tyre në këtë datë të shënuar për kalendarin e besimit katolik.

Ndërsa mëngjesin e kësaj të hëne besimtarët ortodoksë morën pjesë në meshën e mbajtur në Kishën Ortodokse “Apostull Pavli dhe Shën Asti”, Durrës.

Qytetarët luten për më shumë paqe dhe mirësi mes njerëzve, ndërsa në përfundim të meshës nuk kanë munguar urimet për njeri-tjetrin.

Ora 09:47
Krishtlindja kremtohet edhe në Lezhë, qindra besimtarë i bashkohen ritualit fetar në katedralen e ‘Shën Nikollit’

Krishtlindja një prej festave më të rëndësishme për katoliket u kremtua edhe në Lezhë. Qindra besimtar ju bashkuan ritualit fetar të lindjes së Jezu Krishtit në katedralen e Shën Nikollit, ndërsa mesha e shenjte e mbrëmjes të së martës u drejtua nga Ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës Monsinjor Otavio Vitale.

Në fjalën e tij para besimtarëve, ipeshkvi Vitale foli për rëndësinë që ka krishtlindja, duke vene theksin tek dashuria mes njëri tjetrit në këtë situatë të vështirë që po kalon njerëzimi nga luftërat në disa vende të botës. Një mesazh pati edhe për qeveritarët, duke iu kërkuar që mos të ndjehen zotërinj, por shërbëtor, pasi ata po sundojnë mbi njerëzit.

Mesha e shenjtë e Krishtlindjes në Lezhë zgjati deri pas mesnate e më pas besimtaret u shpërndanë duke uruar njëri-tjetrin për më shumë paqe e begati. Ajo çfarë u vu re këtë vit ishte prezenca e lartë e qytetareve në kishë dhe jashtë saj të cilët ndjekin ritualin fetar, ndërsa për të shmangur kaosin në lëvizje rruga përballë katedrales u bllokua nga policia.

Ora 08:33
Krishtlindja/ Mbahet mesha në katedralen ortodokse 'Ngjallja e Krishtit' në Tiranë

Besimtarët ortodoksë kremtuan sot në mëngjes meshën e Krishtlindjeve në Katedralen Ortodokse "Ngjallja e Krishtit". 

Qindra besimtarë morën pjesë në meshë. Ndërkohë mbrëmjen e djeshme u mbajt mesha edhe në Katedralen Katolike të Shën Palit në Tiranë.

Ora 23:29
Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Shqiptarët urojnë Krishtlindjet, duke i uruar mbarësi, fat dhe shëndet të gjithëve. Për Report Tv, shqiptarët thonë se shpresojnë për më shumë solidaritet e harmoni.

“Gëzuar për shumë vjet.

Gëzuar Krishtlindjet të gjithëve, mbarësi, fat shëndet të gjithëve.

Gëzuar Krishtlindjet për të gjithë, vetëm paqe dhe harmoni.

Gëzuar të gjithë shqiptarëve, sa më shumë mbarësi për të gjithë.

Gëzuar Krishtlindjet të gjithë besimtarëve katolikë.

Fat, shpresë bekim për të gjithë shqiptarët. Një vit me sa më shumë solidaritet”, thonë shqiptarët.

Ora 21:51
Lushnjë/ Mbahet mesha e shenjtë e Krishtlindjeve në Kishën Katolike ‘Pjetri dhe Pali’, marrin pjesë besimtarë të shumtë

Mesha e Krishtlindjeve, sot në Kishën Katolike 'Pjetri dhe Pali' në Lushnjë

Mesha e shenjtë e Krishtlindjeve u mbajt mbrëmjen e sotme edhe në Kishën Katolike të shenjtëve Pjetri dhe Pali, në Lushnjë.

Besimtarët të shumtë katolikë kanë marrë pjesë. Meshën e drejtoi Dom Gjoni, i cili ju drejtua besimtarëve me fjalët e paqes dhe begatisë. 

Në kishën "Pjetri dhe Pali", mesha e shenjtë u mbajt në orën 21:00, mes dekoreve shumëngjyrëshe dhe tingujve të kambanave për festën e lindjes së Jezu Krishtit.

Ora 20:06
Kisha e 'Shna Ndout' tërheq qindra besimtarë, mbahet mesha e shenjtë e Krishtlindjes

Krishtlindja në nga festat më të rëndësishme për besimtarët katolik, u kremtua në kishën e “Shna Ndout”. Ky vend i shenjtë mblodhi qindra besimtarë gjatë mbrëmjes të kësaj të marte, ndërsa mesha e shenjtë u mbaj brenda ambienteve të kishës.

Rituali fetar u kremtua nga Pader Kastriot Demaj, i cili përcolli mesazhin e tij për festën e Krishtlindjes. Kisha e Shna Ndout në Laç është kthyer në epiqendrën e qindrave qytetarëve të besimeve të ndryshme  fetare nga e gjithë Shqipëria në këto ditë festash të fundviti.

Ata adresojnë lutjet e tyre në këtë vend të shenjtë i cili ka bërë mrekulli të shumta.

Prifti Patër Kastriot Demaj i cili kremtoi meshën përcolli mesazhe mirësie dhe vllazërie në këtë ditë të shënuar për të krishterët në gjithë botën.

Sipas Ungjillit të Lukës dhe Mateut, Jezusi lindi nga Mëria në Betlehem, ku ajo dhe i shoqi i saj Jozefi po pushonin rrugës për në vendlindjen e tyre, Nazaret, për të marrë pjesë në numërimin e mbarë popullsisë urdhëruar nga perandori August.

SI.E./S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare