“Nuk ka vite për t’u jetuar dy herë; disa janë bërë vetëm që të lihen pas.”
— shkruante dikur Albert Camus, La Peste (Murtaja)
Ndoshta vërtet viti 2025 ishte bërë për t’u lënë pas dhe ndoshta për t’u harruar.
Ka periudha në jetën e njeriut që nuk jetohen, por vetëm durohen.
1. Shqipëria dhe shqiptarët përjetuan një vit të errët, plot drama dhe pa shpresë.
Viti që kaluam ishte një faqe e zezë në sytë e miliona turistëve që nuk do të rikthehen më:
në pirgjet e plehrave,
në bregdetin me fekale,
në kazanët që digjen,
në rrugët me qen dhe mace endacake,
në autostradat me shoferë të çmendur,
në shtetin pa trena dhe pa transport publik,
në hotelet me çmime pa logjikë,
në pluhurin që mbyt çdo gjallesë,
në kafenetë ku shiten pordhë.
2. Shqipëria dhe shqiptarët përjetuan një vit plot baltë dhe njolla në imazhin ndërkombëtar.
Çdo bandë apo grup trafikantësh ndërkombëtarë që arrestohej në Europë apo Amerikën Latine, pothuajse gjithmonë kishte mes tyre emra shqiptarë. Aq shumë janë përfshirë shqiptarët në krime, sa duket sikur jemi një popull prej 3 miliardë banorësh dhe jo 3 milionë.
Aq poshtë ka rënë imazhi ynë si shqiptarë, sa në dhjetëra filma të Hollywood-it apo Netflix-it, skenarët kanë si protagonistë trafikantë droge shqiptarë.
3. Shqipëria dhe shqiptarët përjetuan një vit mjerimi dhe varfërie. Shqiptarët kishin këtë vit pagat më të ulëta në Europë, por me çmimet më të larta se në BE.
Çmimet e larta të ushqimeve në supermarkete nuk krahasohen me çmimet e ulëta të supermarketeve europiane si “Aldi”, “Lidl”, “Penny”.
Çmimet e pasurive të paluajtshme këtë vit kaluan çdo normë tregu, duke e bërë Tiranën, Durrësin, Vlorën dhe disa qytete të tjera të papërballueshme.
4. Shqipëria dhe shqiptarët përjetuan një vit pa siguri për shëndetin dhe jetën.
Dyndja e emigracionit nuk po ndodh vetëm nga papunësia, por edhe nga pasiguria.
Në spitalet shqiptare hyn i gjallë dhe del i vdekur.
Në një kohë kur mijëra emigrantë europiano-lindorë po rikthehen në Poloni, Hungari, Kroaci, Rumani e Bullgari, sepse Perëndimi po kalon krizë, kjo nuk ndodh me shqiptarët.
Edhe ata pak emigrantë shqiptarë që kanë tentuar të rikthehen janë zhgënjyer, sepse me kursimet e tyre në Shqipëri nuk mund të blesh më asgjë dhe nuk mjaftojnë për të hapur biznes.
Më lirë blen një shtëpi në Spanjë sesa në Sarandë apo Vlorë.
5. Shqipëria dhe shqiptarët përjetuan edhe një zhgënjim të madh me votën e tyre.
Mijëra shqiptarë votuan socialistët, por brenda pak muajsh kuptuan se në çezmat e tyre nuk ka ujë, ndërsa socialistët pinë verë franceze të vitit 1913, me 33 mijë euro shishja, në vitin kur u copëtua Shqipëria.
Zhgënjimi nuk vjen nga dy apo tre persona, por nga i gjithë pushteti, i cili nuk po reflekton as pas qindra arrestimeve.
Viti 2025 do të mbahet mend si viti i korrupsionit shekullor, me shifra që as të huajt nuk i kishin imagjinuar.
6. Viti që kaluam ishte i turpshëm edhe për Kosovën, e cila për 11 muaj nuk arriti të krijojë as parlament dhe as qeveri.
As në kohën e pushtimit serb, kur Rugova mblidhte Kuvendin në ilegalitet, nuk kishte ndodhur që parlamenti të dështonte 63 herë për të zgjedhur një kryetar apo kryeministër.
Urrejtja, mllefi, spiunazhi dhe egoizmi e larguan Kosovën dhe Shqipërinë nga njëra-tjetra si kurrë më parë.
Viti i mbrapshtë i atyre që ideuan “kombin kosovar” kundër atij shqiptar, mos u ktheftë më për shqiptarët.
Shumë shqiptarë kanë humbur të afërmit.
Shumë shqiptarë humbën punën apo biznesin.
Shumë shqiptarë humbën shpresën.
Zoti krijoi në një ditë kujtesën dhe harresën.
Ndoshta viti që lamë pas duhet harruar…
Kurrë mos e pafsha Shqipërinë dhe shqiptarët si në vitin 2025.
Gabriel García Márquez shkruante te Njëqind vjet vetmi:
“E shkuara është një barrë që duhet lënë pas, përndryshe e ardhmja nuk gjen vend të vijë.”
Komente












Per fat te keq, autori eshte tmerresisht i sakte! Vetem nje ceshtje nuk u prek ne kete deklarate morgu per Shqiperine: "A u gjeten 900 shishtet e veres se viteve 1913-1923 te markes Agasi-Rama?! Me ato shishe ne ishim brenda Bashkimit Europian, po tani ku te vemi?!.
PërgjigjuKjo eshte e bukur te ne ,te bene propogand dhe Spahiu qe kur ishte ne K shillin e drjtesis akuzohesh per 200000 mij Euro per nje levizje Gjyqtari bashke me Bamir Topin dhe Shqiptaret i varen teneqen me gjithe Partin e tij.