Përgjigjia e kësaj pyetje ndan qartazi në publik:

- Injorancën nga Inteligjenca,

- Hipokrizinë nga sinqeriteti.

Ditët e fundit qarkullon një teori e re për protestën. Disa thonë se Zvërneci bashkoi Berishën me Ramën.

Ata që pretendojnë se Rama dhe Berisha u bashkuan në Zvërnec janë ose injorantë, ose mashtrues politikë.

Rama dhe Berisha kanë 20 vjet që janë bashkë.

Për të nxjerrë në dritë këtë mungesë koherence apo mashtrim të disa protestuesve, po parashtroj disa fakte:

* Ku ishit kur ndodhi Gërdeci dhe u vranë 26 persona, ndërsa u plagosën 300 të tjerë? A ju kujtohet që Rama shkoi te Berisha, duke hequr dorë nga protestat dhe duke ndryshuar Kushtetutën brenda tre ditësh?

* Ku ishit më 1 prill, kur Rama u bashkua me Ilir Metën dhe bëri amnisti për 21 Janarin?

* Ku ishit kur Rama dhe Berisha u bënë bashkë kundër drejtësisë dhe SPAK-ut?

* Ku ishit kur Rama i jepte Berishës vulën e partisë nëpërmjet lidhjeve në gjyqësor?

* Ku ishit kur Rama rriti rrogën e Berishës dhe deputetëve me 400 euro në muaj?

* Ku ishit këto 13 vjet kur Rama ndihmonte me leje ndërtimi njerëzit e Berishës?

* Ku ishit kur Rama dhe Berisha ndryshuan së bashku Kodin Zgjedhor?

Ata kanë qenë gjithmonë bashkë dhe ju i keni parë, por nuk keni dashur të protestoni kundër tyre. Ju keni lënë vetëm çdo lëvizje që ishte kundër dyshes Rama-Berisha.

Do të thotë dikush prej jush: “Më mirë vonë se kurrë?”

Absolutisht po, por kjo protestë nuk është kundër Ramës dhe Berishës, por kundër investimeve amerikane.

A e dini pse protesta e Rrjollit nuk zbriti në Tiranë?

Sepse në Rrjoll nuk po investon Ivanka Trump, por një biznesmen i afërt me Berishën, në apartamentet e të cilit Berisha jo vetëm jeton, por ka edhe zyrat e tij private.

Nëse në Rrjoll do të investonte Ivanka Trump, do të plaste “revolucioni i harabelave”.

Anasjelltas, nëse në Zvërnec nuk do të ishte interesuar Ivanka Trump, por ndonjë oligark i afërt me dyshen Rama-Berisha, protesta do të shuhej, sepse protestuesit do të bliheshin, ashtu siç u blenë kur ndërprenë protestat kundër pagesës në Rrugën e Kombit apo protestat kundër çmimit të naftës.

Për këto arsye, askush nuk duhet të besojë se protesta është kundër dyshes Rama-Berisha, sepse ata kanë 20 vjet që e kanë mbushur kupën dhe zullumi është derdhur.

Kanë nxjerrë një teori se “u mbush kupa”.

Pyetja është: pse nuk ishte mbushur kupa nga Rama-Berisha një javë, një muaj apo një vit para projektit të Ivanka Trump?

Pse nuk ishte mbushur kupa 4 apo 8 vjet më parë?

Çfarë rastësie! E paskan kuptuar pikërisht ditën që vajza e Trump-it u interesua për Vlorën se kupa qenka mbushur nga Rama dhe Berisha.

Jo, jo. Mos gënjeni vetëm për të justifikuar gjumin letargjik dhe apatinë tuaj. Ju i keni votuar si Ramën, ashtu edhe Berishën prej dekadash. Të paktën mos fyeni ata që i kanë luftuar për 20 vjet.

Nëse Ivanka Trump tërhiqet nga investimi, ju do të shpërndaheni, ashtu siç u shpërndatë pas anulimit të projektit për armët kimike që kërkoi Amerika.

Do ta harroni luftën kundër dyshes që mendoni se u bashkua sot.

Jo, jo. Kanë kaluar 20 vjet dhe ju keni heshtur.

Jeni shumë vonë. Madje, edhe nëse i keni frikësuar, në fakt vetëm sa i keni forcuar, sepse ata do të miratojnë ndryshimet elektorale dhe do të asgjësojnë çdo alternativë në zgjedhjet e ardhshme.

Thjesht jeni kujtuar pas pilafit.

Ata janë bashkuar në Gërdec, jo në Zvërnec.