Kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi në konferencën e fundvitit me gazetarët, ka kritikuar mënyrën e zbatimit të Reformës në Drejtësi.

Sadushi tha se sistemi nuk po funksionon siç duhet duke ngritur si shqetësim numrin e ulët të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shkollën e Magjistraturës.

“Unë nuk mund të shprehem pozitivisht për çdo gjë që po ndodh. Unë do ta mbroj atë që kemi hartuar, por mund të jem kritik ndaj mënyrës si po zbatohet reforma në drejtësi. Kam qenë i kujdesshëm, por edhe kritik, për arsyer se sistemi nuk po funksionin siç duhet. Nuk ka një planifikim të qartë nga organet e drejtësisë se ku do të shkohet.

Unë e kam ngritur problematikën e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që duhet të jenë pjesë e Shkollës së Magjistraturës.

Është e papranueshme dhe unë kam qenë kritik ndaj KLP dhe KLGJ që në numrin e planifikuar të kuotave vitin e kaluar nga 40 kaloi në 20 dhe këtë vit e kaloi në 10 gjyqtarë dhe prokurorë. Kjo tregon për një mungesë vizioni në planifikimin e çështjeve“, deklaroi Sadushi.

Sipas tij, reforma duhet të zbatohet me sa më pak dëme, por pavarësisht kritikave u shpreh optimist se reforma po ecën.

“Unë do të përpiqem të jem realist në kritikat e mia, por kam detyrë të ngre zërin ne emrin tim, por edhe asaj që përfaqësoj që kjo reformë duhet të zbatohet me sa më pak dëme. Unë jam optimist për mënyrën si po zbatohet. Pavarësisht kritikave, reforma po ecën. Një gjë është e rëndësishme që kjo reformë po funksionon. Kjo na bën të ndihemi edhe më krenarë për atë punë që kemi bërë, por edhe të jemi kritike, sepse pjesa me kritike është gjykimi i çështjeve brenda afateve”, tha ai.


Lajmi kryesor:

Bilanci i fundvitit/ Sokol Sadushi konferencë me gazetarët, kreu i Gjykatës së Lartë: Magjistratura të nxjerrë më shumë gjyqtarë