TIRANË- Në konferencën e parë për mediat si kreu i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani ka bërë me dije se kanë mbërritur mbi 900 ankesa për gjyqtarët dhe prokurorët dhe se për të përballuar këtë fluks është ngritur një strukturë provizore. Këto ankesa kanë ardhur gjatë periudhës 2017-2020, kur ky institucion nuk ekzistonte, që i ishin dërguar Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili i kishte arkivuar. Prioritet i tij do të jenë vendimet për lirimin e parakohshëm me kusht, ndonëse ka zgjedhur që të flasë me emra apo raste konkrete, pasi sipas Metanit më rëndësi ka fenomeni.
Në daljen e parë për mediat, kreu i ILD-së njoftoi se janë hapur vendet 26 vakante dhe u bëri thirrje të gjithë magjistratëve të aplikojnë, duke i siguruar se çdo aplikim do të shqyrtohet me seriozitet. Nga ana tjetër, bëri me dije se është gati edhe faqja zyrtare online e ILD-së.
"ILD një institucioni i ri dhe i pavarur. Kemi ngritur një strukturë provizore pwr tw pwrballuar fluksin. Lançojmë hapjen e faqes zyrtare që aty do të shpallen vendet vakante që ILD po hap sot. Janë rreth 26 ende vakante, me kriteret përkatëse. I bëj thirrje juristëve magjistratë apo jo, të aplikojnë dhe i garantoj që çdo aplikim do gjykohet maksimalisht. ILD ka gjithë vullnetin të përballet me të gjitha shkeljet që cënon figurën e gjyqtarit dhe prokurorit. I ndërgjegjshëm që na pret një volum dhe problematik pune. Rreth 900 ankesa i janë dorëzuar, nga data 1 shkurt 2020 që konsiderohet si konstituuar kanë filluar ankesat e para. Kërkohet një analizë e plotë . Brenda kapaciteteve po merren një plan masash lidhur me problematikat e KLP, KLGJ", tha Metani.
ILD-ja do të gjykojë edhe ankesat e bëra nga gjyqtarët dhe prokurorët që nuk janë dakord me vendimin e Vettingut. " Do jenë pjesë e hetimit edhe ankesat e gjyqtarëve dhe prokurore që kanë dalë nga Vettingu! Do merren në shqyrtim dhe këto vendime", tha kreu i ILD-së.
Me ndryshimet e miratuara në Komisionin e Ligjeve, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka të drejtë të ndërhyjë kur për një gjyqtar ose prokuror ka akuza të besueshme. Kreu i ILD i drejtohet KLGJ dhe KLP të cilët brenda 3 ditëve duhet të japin vlerësimin e tyre. Kjo do të thotë se prokurorët dhe gjyqtarët janë në dorë të kreut të ILD-së. Në rast indicie apo denoncimi, kreu i ILD-së mund të hetojë gjyqtarët apo prokurorët dhe pasi krijon bindjen se ka shkelje brenda tre ditëve i drejtohet KLGJ-së apo KLP-së për fillimin e një procedimi disiplinor apo pezullim nga detyra.
Metani mori detyrën në krye të ILD-së më 20 janar 2020, ku arriti të sigurojë 98 vota pro të Kuvendit, 8 kundër, ndërsa 9 të tjerë nuk votuan. Emërimin e tij në krye rë ILD, PD-ja e cilësi si një ditë të keqe për drejtësisë shqiptare, me argumentin se është një mënyrë e Ramës për të kapur organet e reja të drejtësisë.
Në konferencën për shtyp të mbajtur ditën e sotme, kreu i ILD-së, Artur Metani u ka kthyer përgjigjet edhe akuzave për "kapjen e drejtësisë" nga qeveria, duke qenë se është vëllai i deputetes Englantina Gjermeni. Pytjes së gazetarëve, Metani tha se koha do të tregojë gjithçka.
"Unë vlerësoj që koha është tregues për gjithçka dhe gjyqtari më i mirë për të gjithë", tha Metani.