Ministrat e Mbrojtjes zakonisht merren me çështje strategjike si aleancat, siguria dhe armët. Por kjo nuk vlen për kreun e Pentagonit, Pete Hegseth, i cili është i përqendruar te sigurimi që ushtarakët të jenë "natyrshëm" sa më të aftë fizikisht.

Ish-oficer i Gardës Kombëtare të Ushtrisë dhe veteran i luftës në Irak, Hegseth, i cili vazhdon të stërvitet rregullisht me trupat, ka njoftuar një program për testimin e nivelit të testosteronit te personeli ushtarak, përfshirë edhe gratë. Ata që rezultojnë me nivel të ulët do të kenë mundësinë të ndjekin një terapi zëvendësuese të testosteronit, e financuar nga qeveria.

Sipas planit, ushtarët mbi 30 vjeç do t'i nënshtrohen një testi vjetor të detyrueshëm gjatë kontrolleve periodike mjekësore, ndërsa për më të rinjtë testi do të jetë vullnetar. Terapia hormonale do të jetë fakultative për të gjithë, megjithëse do të rekomandohet fuqimisht për ata që kanë "nivele të ulëta".

"Karta jonë më vendimtare taktike do të jetë gjithmonë luftëtari individual dhe ne kemi një detyrim të shenjtë ta ruajmë këtë avantazh", tha Hegseth në një video të publikuar në rrjetin X nga zyra e tij në Pentagon. Ai e përshkroi nivelin e hormoneve si një element thelbësor, por shpesh të neglizhuar, për "optimizimin e luftëtarit".

Në tekstin shoqërues të videos, Hegseth tha se synimi është krijimi i një "Departamenti të Luftës me Testosteron të Lartë" ("High-T Department of War"), emërtimi që ai preferon për Departamentin amerikan të Mbrojtjes.

Sipas tij, objektivi është të garantohet që trupat të kenë nivelet e duhura të testosteronit për të operuar në maksimumin e aftësive të tyre, pasi është vërtetuar shkencërisht se me kalimin e moshës këto nivele priren të bien natyrshëm.

Hegseth e cilëson planin si një investim të domosdoshëm për shëndetin e ushtarëve "në një fushëbetejë moderne dhe brutale". Ai thekson se nuk bëhet fjalë për një përmirësim artificial të performancës, por për "rikthimin e aftësive natyrore" dhe garantimin e gatishmërisë fizike e psikologjike të trupave.

Nisma e Hegseth është pjesë e një politike më të gjerë të administratës Trump për të lehtësuar aksesin në terapitë zëvendësuese hormonale, por vetëm për "meshkuj me performancë të lartë". Ministri i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., ka deklaruar publikisht se përdor terapinë zëvendësuese të testosteronit (TRT).

Mediat amerikane e përshkruajnë këtë nismë si një lëshim ndaj kulturës së së djathtës konservatore amerikane, e cila i kushton rëndësi të madhe konceptit të virilitetit, por edhe ndaj të ashtuquajturës "manosferë", komunitete online që promovojnë një model të maskulinitetit toksik dhe shpesh mizogjin, me të cilin Hegseth shihet si i afërt.

Gjatë mandatit të tij, ai ka bllokuar promovimin e grave që ishin përzgjedhur për gradat e gjeneralit dhe admiralit, ka mbikëqyrur ndalimin e shërbimit për ushtarakët transgjinorë dhe ka përqafuar gjithashtu skepticizmin ndaj vaksinave që karakterizon një pjesë të "manosferës", duke urdhëruar ndërprerjen e vaksinimit të detyrueshëm vjetor kundër gripit për ushtarakët. Megjithatë, ai u detyrua të tërhiqej nga ky vendim pas një shpërthimi gripi gjatë stërvitjes bazë të Forcave Ajrore./ Corriere della Sera