Policia e Gjermanisë ka ndërprerë marrëdhëniet me Policinë shqiptare, shkak dekonspirimi në 17 operacione! Softa: Lobim politik për drejtorin e ri
Largimi i Ilir Prodës nga drejtimi i Policisë së Shtetit më 1 mars hapi zyrtarisht garën për zgjedhjen e kryepolicit të ri, një proces që tashmë ka hyrë në fazën më vendimtare, teksa në garë janë 14 kandidatë.
Ish-drejtuesi i lartë i Policisë, Shemsi Prençi, ka deklaruar në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, se shikon si favorit për të fituar garën emrin e Tonin Vocajt, të cilin e konsideroi edhe si veteran.
Prençi kishte kritika edhe ndaj mënyrës së zgjedhjes së drejtuesit të ri të Policisë, për të cilin tha se në fund i ngelet ministrit ‘në dorë’ për të vendosur.
“Tonin Vocaj është në një farë mënyre veteran. Sistemi është prishur, bën një procedurë të zvarritur shumë dhe në fund i ngelet ministrit. Po të më pyesnin mua, për kushtet ku ndodhet Shqipëria dhe për të patur një drejtor autoritar që s’ka kohë të turpërohet, do ishte primo Tonin Voci, i cili ka pasur poste drejtuese në të gjitha qeverisjet e post-1990. Është në prag të pensionit, por unë do të doja që një drejtor i përgjithshëm i Policisë të dalë në pension në krye të Policisë.
Krijimi i mundësive për të bërë karrierë në Polici si patronazhist dhe duke u suportuar politikisht, u nis me Ardi Veliun që kapërceu nga Shefi i Policisë Bashkiake të Vlorës dhe mori brenda 2 viteve 4 grada dhe u bë drejtor i Përgjithshëm i Policisë. Pastaj ndikoi drejtpërdrejtë në prishjen e strukturave të Policisë së Shtetit. Dhe ai zinxhir ka vazhduar”, tha Prençi.
Nga ana tjetër, eksperti i sigurisë Fatjon Softa deklaroi se gara për zgjedhjen e kreut të Policisë së Shtetit duhet të ishte e hapur për mediat dhe publikun.
Softa tha gjithashtu se emri i ri që do të zgjidhet drejtor i Policisë, duhet të ketë mbështetjen e organizatës së ‘Bluve’, pasi sipas tij, në të kundërt nuk arrin dot sukses.
Ai tha gjithashtu se është shumë e vështirë që dikush të zgjidhet drejtues i Policisë së Shtetit, nëse nuk ka mbështetje politike.
“Të gjithë kandidatët janë të denjë për drejtimin e Policisë. Kjo garë duhet të bëhej e hapur për mediat dhe publikun. Më shumë sesa një emër, unë do të kërkoja që të ishte një person që e do organizata. Ka pasur drejtorë të aftë që nuk e ka dashur organizata dhe nuk kanë pasur sukses.
Për t’u bërë drejtor qarku sot, nëse nuk e ke mirë me drejtuesin politik të qarkut, vështirë shumë të bëhesh drejtor qarku. Marrim rastin e Fierit, ka qenë drejtuese politike Balluku. Dhe në fund fare... Nëse njëri nga këta nuk është thirrur njëherë, vështirë shumë që të bëhesh drejtor i Përgjithshëm i Policisë. Po nuk të thirri dikush, po nuk lobuan, sipas eksperiencës time është shumë vështirë që të bëhesh drejtor. Jam mes Tonin Vocajt, Pëllumb Seferit dhe Hitajt”, tha Softa.
Më tej Prençi shtoi se Policia Federale gjermane ka ndërprerë marrëdhëniet me Policinë shqiptare prej të paktën 10 ditëve. Kjo pasi sipas Prençit, Policia shqiptare ka dekonspiruar aksionet e përbashkëta në 17 raste.
Prençi shtoi gjithashtu se një problematikë e madhe sot me Policinë e Shtetit është futja e personave të suportuar nga bota e krimit.
“Kur është diskutuar në projektligj është diskutuar që të paktën lidershipi i policisë duhet të kishte në komision kreun e Akademisë së Rendit, dekanin e Fakultetit Juridik dhe 2-3 drejtues të institucioneve të Drejtësisë, KLGJ, KLP ose SPAK. Sepse një drejtor i përgjithshëm i Policisë, përtej menaxhimit, duhet të jetë edhe njohës i mirë i procedurës, sepse jo më pak se 10 ditë Policia Federale e Gjermanisë ka ndërprerë marrëdhëniet me Policinë shqiptare, për shkak të dekonspirimit të operacioneve në 17 çështje të përbashkëta. E ke pezullim të përkohshëm të bashkëpunimit. Sepse nëse në garën për drejtor të Përgjithshëm të Policisë futen persona që janë katapultuar duke i favorizuar përmes bërjes së një ligji ekstra, të cilët janë suportuar nga bota e krimit dhe për t’i shërbyer botës së krimit ata dekonspirojnë çdo operacion me partnerët, atëherë t’i je i pabesueshëm për partnerët ndërkombëtarë”, tha Prençi.
Komente









