Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar sërish për hetimet e SPAK ndaj drejtoreshës së shkarkuar të Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, e cila dyshohet për bashkëpunim me Ergys Agasin, i arrestuar më herët për dosjen e AKSHI-t.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Salianji është shprehur se pushteti i kryeministrit Edi Rama i ka kthyer institucionet në mburojë të interesave të tij.

Për Salianjin, shteti shqiptar ‘i ka ulur pantallonat’ përballë krimit të organizuar dhe është në dorë të njerëzve si Ergys Agasi.

Teksa u bëri thirrje qytetarëve që të ngrihen në protesta, Salianji shtoi se institucionet më të rëndësishme shtetërore janë faktuar që janë nën influencën e bandave kriminale.

Reagimi i Salianjit:

Shteti i Ramës i ka ulur pantallonat përballë krimit të organizuar! Qytetarët duhet të vershojnë në sheshe për të çliruar institucionet nga llumi!

Institucionet më të rëndësishme shtetërore janë faktuar që janë ose emërime të bandave, ose nën influencën e bandave dhe nuk i shërbejnë më shtetit e qytetarëve!

Ky nuk është më një shtet që lufton krimin, por një shtet që është në dorën e gysrave! Krimi i organizuar ka depërtuar në institucionet që duhet ta luftonin atë, ndërsa pushteti i Ramës i ka kthyer institucionet në mburojë të interesave të tij. Përballë kësaj kapjeje të shtetit e vetmja rrugë e mbetur janë qytetarët në shesh, në rrugë dhe në institucione për të shkulur me rrënjë llumin që ka mbuluar gjithë ngrehinën kriminale të Ramës!

Të mos presim më që shteti i kapur të çlirojë vetveten. Shtetin duhet ta çlirojnë qytetarët!

Ky vend nuk është pronë e Ramës, as e bandave dhe as e pushtetit të tyre.

Është koha për t’ua marrë Shqipërinë nga duart atyre që e kanë kthyer shtetin në instrument të krimit dhe pushtetin në mburojë të tyre!