Vendosja e shefes së SHISH-it, Vlora Hyseni, në arrest shtëpiak nuk është thjesht një goditje për reputacionin e institucionit, sipas ekspertit të sigurisë kombëtare Ergys Muzhaqi. Në emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, ai tha se komunikimet e saj me biznesmenin Ergys Agasi dhe dyshimet për nxjerrje informacionesh tregojnë një cenim të rëndë të sigurisë kombëtare.

Ai e quajti paradoks emërimin e Hysenit në krye të SHISH-it pas largimit të saj nga shërbimi inteligjent i Kosovës nën dyshimin për shitje informacioni.

"“Ka marrë fund, jo është cënuar por është shkallmuar. Ka një paradoks se Hyseni shkarkohet në Kosovë për shitje informacioni dhe merret në Shqipëri si titullarë. Gjëja më groteske është që ky personalitet i rëndësishëm si Vlora Hyseni bën ca muhabete që i kapen kollaj fare dhe as nuk e di që është në hetim. Merr njeriu ca masa, pra bie teoria që po fliste me Agasin si informator. Ka rënë siguria kombëtare dhe është bërë groteske. Është degraduar shteti. Nuk është diçka e shkëputur por vazhdë. Nuk kanë të mbaruara skandalet që lidhen me cënimin e sigurisë kombëtare” tha Muzhaqi në Report TV