Kreu i SPAK, Klodjan Braho dhe dy shefat e seksioneve për hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, Dorina Bejko dhe Vladimir Mara, ndodhen në SHBA për një vizitë disa ditore.

Sipas burimeve bëhet e ditur se prokurorët e posaçëm janë ftuar për të zhvilluar disa takime të niveleve të ndyshme në SHBA me zyrtarët amerikanë.

Kjo është vizita e parë e Brahos në SHBA, pasi është zgjedhur në krye të SPAK. Lufta kundër krimit të organizuar dhe në veçanti trafikut të kokainës është një nga prioritetet e SHBA-ve.

Në këtë drejtim SPAK ka bërë disa goditje, por SHBA ka pritshmëri më të mëdha në luftën kundër krimit nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Kjo vizitë vjen pas kontakteve dhe vizitave të mëparshme zyrtare të ish-drejtuesit të SPAK, Altin Dumanit, në Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë shërbyer për forcimin e bashkëpunimit me partnerët amerikanë.